FOTO: Atdhe Mulla

Dragash, asamblistja dhe kryetarja e rinisë së PDK-së punësohen si mësimdhënëse

Më 26 shkurt, Drejtoria e Arsimit në Komunën e Dragashit hapi një konkurs për plotësimin e tri vendeve të lira të punës.

Por, në dy prej tyre u punësuan dy persona, anëtare të partisë e cila është në pushtet në këtë komunë, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kështu, asamblistja e PDK-së, Elira Sylejmani, u punësua në shkollën fillore “Sezai Surroi” në fshatin Bellobrad si mësimdhënëse e mësimit klasor.

Ndërsa, kryetarja e të rinjve të PDK-së në Dragash, Besiana Piraj, u punësua në shkollën fillore “Fetah Sylejmani” në fshatin Shajne, po ashtu si mësuese klasore me kohë të caktuar.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me dy zyrtaret e PDK-së në Dragash, por ato nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Në anën tjetër, në një bisedë kryetari i Dragashit, Shaban Shabani e ka konfirmuar se Elira Syljemani është asambliste e PDK-së dhe Besiana Piraj është kryetare e forumit rinor të partisë që edhe ai e përfaqëson.

“Kur është caktu lista për intervistë e kam kuptu që janë ato se nuk mund ta mohoj unë. Njëra është delegate e Kuvendit tjera është kryetare të të rinjve, po përderisa legjislacioni nuk e ndalon, me sa e di unë nuk e ndalon ligji, nuk kemi mujtë me ua ndalu aplikimin. Është një komision, i ka kryer procedurat, konkursi ka qenë publik”, ka thënë Shabani për KALLXO.com.

Elira Sylejmani, Asambliste e PDK-së në Dragash

Drejtori i Arsimit në Komunën e Dragashir, Vloran Cenaj, e ka mohuar të jenë favorizuar anëtaret e PDK-së për të fituar vendet e punës. Ai tha se është zhvilluar një konkurs publik dhe janë zbatuar ligjet në fuqi.

“Ka qenë një komision që e ka kryer punën në mënyrë të profesionale, unë nuk e di që ligji ua ndalon dikujt veç pse është asambliste me u punësu, çdokush ka të drejtë të konkurs, por është krejt punë e komisionit”, ka thënë ai.

“Unë me ju thënë të drejtën, unë si drejtor nuk kam drejtë me iu përzi komisionit përzgjedhës, është punë e tyre”, tha ai.

Besiana Piraj, Kryetare e të rinjve të PDK-së, Dragash