Draftligji për paga i miratuar në Qeveri parasheh që ky ligj të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare

Drafti i Ligjit për paga në sektorin publik, i miratuar javën në kaluar në Qeveri, parasheh që ky ligj të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Sipas draftit të publikuar muaj më parë, ligji parashihej të hynte në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare, por ky nen ka ndryshuar gjatë fazës së konsultimeve publike.

Këtë e kanë konfirmuar për KALLXO.com nga Ministria e Punëve të Brendshme si propozues të këtij projektligji.

“Si Ministri e Punëve të Brendshme ju njoftojmë që e konfirmojmë që Ligji për Paga do të hyjë në fuqi një muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Në konsultime publike ka pasur gjithë përfshirje të institucioneve relevante dhe palëve të interesuara. Një nga ndryshimet në kuadër të konsultimeve ka qenë edhe reduktimi i kohës së paraparë që ligji të hyjë në fuqi nga 8 në 1 muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare”- thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

MBP pa dhënë detaje tjera, ka konfirmuar për KALLXO.com se gjatë periudhës së konsultimeve publike, Projektligji për paga ka pësuar ndryshime në disa nene.

Ky Projektligj ka marrë miratimin e Qeverisë, javën e kaluar ndërsa pritet të shqyrtohet nga Kuvendi dhe pas miratimit publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Para shqyrtimit të parë të projektligjit në seancë plenare, Komisioni përgjegjës-raportues, i ngarkuar nga Kryetari i Kuvendit, e shqyrton projektligjin në parim. Komisioni i paraqet Kuvendit raport me rekomandime për miratim ose për mosmiratim të projektligjit.

Sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, shqyrtimi i parë i projektligjit në seancë plenare nuk mund të bëhet pa kaluar dy javë nga dita e shpërndarjes së tij.

Mes dy leximeve në Kuvend, projektligji mund të pësoj ndryshime.

Në muajin shkurt në media rrodhi një draft i Projektligjit për Paga në sektorin publik, në të cilin koeficientët ishin nga 1 deri në 20. Në atë kohë pati reagime e pakënaqësi nga kategori të ndryshme të zyrtarëve publikë në lidhje me koeficientët. Por, në atë draft të projektligjit nuk ishte përcaktuar vlera e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji ndërsa në vitet pasardhëse do të përcaktohej në Ligjin për buxhetin. Që nga ajo kohë më nuk është prezantuar ndonjë draft apo propozim tjetër nga qeveria.

Zyrtarisht ende nuk dihet sa është koeficienti.

Projektligji i Pagave në Sektorin Publik nuk u miratua në Kuvend gjatë muajit mars.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.

Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën. Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti.

Ligji ishte miratuar nga Qeveria e Kosovës, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.