Flamuri i Hungarisë, Foto: Pixabay

Draft-Ligji i ri Anti-LGBTQ+ do ta ndalonte Paradën e Krenarisë në Hungari

Koalicioni hungarez në pushtet ka vazhduar fushatën e shtypjes ndaj komunitetit LGBTQ+, me deputetët e pushtetit të cilët kanë dorëzuar një draft-Ligj në Parlament që do të ndalonte Paradën e famshme të Krenarisë së Budapestit dhe do t’i lejonte autoritetet të përdorin softuerin e njohjes së fytyrës për identifikimin e pjesëmarrësve – raporton CNN – duke iu referuar shkrimit të Agjencisë së lajmeve AP.

Draft-Ligji pritet të kalojë me siguri të madhe, derisa koalicioni qeveritar ka dy të tretat e votave në Parlament.

Draft-Ligji do ta përcaktonte si shkelje mbajtjen ose pjesëmarrjen në ngjarje të cilat shkelin legjislacionin hungarez të “mbrojtjes së fëmijëve”, që ndalon “përshkrimin ose promovimin” e homoseksualitetit para fëmijëve nën 18 vjeç.

Pjesëmarrja në një ngjarje të ndaluar do të gjobitej me një gjobë prej 546 dollarësh amerikan – vlerë që shteti pastaj do ta alokonte për “mbrojtje të fëmijëve”.

Propozimi është hapi i fundit kundër njerëzve LGBTQ+, i ndërmarrë prej kryeministrit Viktor Orban, Qeveria e të cilit ka aprovuar legjislacion që grupet e të drejtave të njeriut dhe politikanët e tjerë europianë e kanë denoncuar si represiv kundër pakicave seksuale.

Qeveria e portretizon veten si kampione të vlerave tradicionale të familjes dhe mbrojtëse të qytetërimit të krishterë nga ajo që e quan “çmenduri gjinore” dhe argumenton se politikat e saj janë të dizajnuara për mbrojtjen e fëmijëve nga “propaganda seksuale”.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve i Hungarisë u miratua në vitin 2021. Përveç ndalimit të “përshkrimit ose promovimit” të homoseksualitetit në përmbajtjen e disponueshme për të miturit – duke përfshirë në televizion, filma, reklama dhe literaturë – gjithashtu ndalon përmendjen e çështjeve LGBTQ+ në Programet e Edukimit shkollor dhe ndalon përshkrimin publik të “gjinisë në lindje”.

Në një fjalim në shkurt, kryeministri Orban la të kuptohej se Qeveria e tij do të ndërmerrte hapa për ndalimin e Krenarisë së Budapestit, e cila tërheq mijëra njerëz dhe feston historinë e lëvizjes LGBTQ+, njëherësh pohon të drejtat e barabarta të komunitetit homoseksual, lezbik, biseksual dhe transgjinor.

Krenaria e Budapestit shënon 30-vjetorin e saj.

Organizatorët e kanë quajtur përpjekjen e Orbanit për ndalimin e ngjarjes kufizim të lirive themelore të fjalës dhe të tubimit.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com