Draft projektligji i pagave – pozita e presidentit, më e paguara në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do të ketë pagën më të lartë në vend.

Sipas draft projektligjit të ri për pagat të siguruar nga KALLXO.com, pozita e presidentit të vendit, pritet të jetë pozita me e paguar në sektorin publik në Kosovë.

Ndonëse ende nuk dihet saktë kalkulimi i pagës, koeficienti i propozuar për pozitën e presidentit i prin listës së pagave të sektorit publik.

Sipas propozimit, koeficienti për presidentit pritet të jetë 20. Ndërsa në këtë draft projektligj nuk është dhënë propozimi se sa do të jetë vlera monetare për një koeficient.

Pagë të njëjtë me presidentin nuk pritet të ketë askush nga funksionarët publikë.

Kryeministri i vendit, kryeparlamentari si dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, pritet të kenë pagën e njëjtë me koeficient 19.

KALLXO.com për këtë çështje ka kërkuar sqarime edhe nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Deri në publikim të këtij shkrimi, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike nuk ka dhënë përgjigje për vlerën e caktuar të koeficientit por as edhe se kush ka qenë në grupin punues të draftimit të projektligjit të ri për pagat në sektorin publik.

Draft-projektligji nuk e përcakton vlerën e koeficientit për vitin e parë të zbatimit të këtij ligji.

Ndërsa, thuhet që për vitet e tjera buxhetore, vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin për buxhetin.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit të Gjykatës, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe shkaktonte “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”.

Ky projektligj ishte dërguar në kushtetuese më 6 dhjetor të vitit 2019 nga institucioni i Avokatit të Popullit, për siç thuhej “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.

Gjykata Kushtetuese kishte vendosur që të pezullohet zbatimi i këtij ligji, deri më 30 mars 2020. Me pastaj, Gjykata kishte vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor 2020 dhe përfundimisht më 30 qershor e kishte shpallur të pavlefshëm.

Sipas këtij ligji, paga bazë konsiderohet ajo pjesë e pagës, që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë të punës. Vlera kësaj page bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit.

Koeficienti më i lartë sipas këtij ligji ka qenë 10. Këtë koeficient e mbante vetëm presidenti i vendit, më pas është niveli i 9, ku bënin pjesë kryetari i kuvendit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese.