Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dozën e dytë të vaksinës e kanë marrë mbi dy mijë qytetarë

Menaxheri i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka treguar se deri tani janë mbi 2 mijë persona staf shëndetësor – të vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës kundër COVID-19.

“Në sallën 1 Tetori janë mbi 450 të vaksinuar. Në total i kemi rreth 74 mijë e 500 të vaksinuar. Janë duke u respektuar oraret e terminëve dhe deri tash ka shkuar çdo gjë mirë. Nëse i referohemi numrit të të vaksinuarve me dozën e dytë, janë mbi dy mijë qytetar të vaksinuar”, tregoi Bardhi.

Ai po ashtu tha se procesi i vaksinimit është duke vazhduar si për stafin shëndetësorë ashtu edhe për qytetarët.

Kujtojmë se Kosova ka filluar vaksinimin më 29 mars 2021.

Në anën tjetër numri i rasteve pozitive në nivel vendi është ulur dukshëm nëse ai krahasohet me disa javë me parë. Nga të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, del se dje kanë rezultuar pozitiv 18 persona përderisa nuk është shënuar asnjë vdekje me COVID-19.

Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 107,447 raste pozitive me SARS-CoV-2, përderisa 2,243 prej tyre kanë vdekur, 103,382 janë shëruar dhe 1,822 janë raste aktive me COVID-19.