Down Syndrome Kosova në prag të mbylljes, qeveria nuk i përgjigjet kërkesës së tyre për ndihmë

300 persona me sindromin Down, prej të cilëve 120 fëmijë të moshës 0-12 vjeç, janë në prag të mbetjes pa shërbime terapeutike për shkak të mungesës së fondeve të shoqatës Down Syndrome Kosova.

Qendra Down Syndrome Kosova (DSK) e cila ka 13 vite që ofron shërbime psiko-sociale për personat me sindromin Down po rrezikon mbylljen.

Para një muaji, me datën 14 korrik kjo qendër i ka dërguar kërkesë zyrtare kryeministrit Avdullah Hoti, ministres së Financave Hykmete Bajrami dhe ministrit për Mirëqenie Sociale Skender Reçica, përmes së cilës kanë kërkuar që këto institucione të shqyrtojnë mundësitë e ndarjes së buxhetit për mbështetjen e shërbimeve psiko-sociale për personat me sindromën Down.

“DSK ka drejtuar kërkesën direkt tek z. Hoti dhe mbetemi në pritje të një përgjigje. Fatkeqësisht për shkak të situates së krijuar rrezikojmë mbylljen, prandaj bëjmë thirrje tek insitutcionet për mbështetje”, tha Ermira Shabani, psikologe në DSK

DSK ka lansuar fushatën “Mbështet Zhvillimin e Potencialit tim” në kuadër të së cilës iu kanë bërë  thirrje insitutcioneve, biznesve dhe individëve që përmes kontributit financiar të mbështesin shërbimet terapeutike për fëmijët me sindromë Down.

“Kësaj fushate deri më tani i janë bashkangjitur individë, disa biznese dhe deputetët të Kuvendit të Kosoves. Ofrimi i shërbimeve terapeutike për personat me sindromën Down është thelbësor, prandaj falenderojmë gjithë ata që na janë bashkangjitur në këtë nismë dhe ftojmë të tjerë që ta bëjnë” tha Shabani.

DSK, përveç Qeverisë dhe ministrive përkatëse për çështjen i është drejtuar me ftesë për mbështetje të fushatës 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Shabanit prej një muaji që është dërguar kërkesa vetëm Endrit Shala,  Faton Bislimi dhe Valdete Idrizi, i janë përgjigjur thirrjes së tyre.