Dosje e Prokurorisë ndaj të akuzuarve për fajde

Naser Koqinaj, Ihsan Fetahaj, Kujtim Gjilani dhe Arlinda Krasniqi, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prizrenit.

Dosja e Prokurorisë së Prizrenit për këtë rast përshkruan se i dëmtuari Mirsad Badalli ka dhënë shuma të të hollave dhe vetura në emër të fajdesë e detyrimit.

Në dosje përshkruhen veprimet e secilit të pandehur.

Naser Koqinaj akuzohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit, dhëniesë së ryshfetit dhe mashtrimit.

Sipas Prokurorisë, Naser Koqinaj dyshohet se pasi e ka ndihmuar të dëmtuarin Mirsad Badalli t’i largojë kanosjet e fajdexhive, i njëjti ka kërkuar nga i dëmtuari shumën prej 63 mijë e 888 euro e 40 centë.

Prokuroria pretendon më tej se Naser Koqinaj në vitin 2018 pasi e ka kanosur se do ta vrasë e detyron të dëmtuarin Badalli që nga bankomatet të tërheqë para dhe t’ ia dorëzojë atij duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 euro.

Në aktakuzë më tej përshkruhet se i pandehuri Koqinaj në vitin 2019 veturat e marra nga Mirasad Badalli ia jep të pandehurit Ihsan Badalli.

Të përfshirë në aktakuzë janë edhe të dyshuarit tjerë.

Sipas dosjes, Ihasan Fetahaj ngarkohet se ka pranuar nga i pandehuri Koqinaj dhuratë dy vetura, një veturë e llojit “WV Tauran”, dhe veturën “WV Golf”, vetura këto që kapin vlerën 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Kujtim Gjilani akuzohet se më 9 gusht 2020, në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj i mundëson kalimin në kufi një personi i cili nuk kishte dokumentacion valid.

Ndërkaq, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj sipas Prokurorisë në bashkëveprim, e mashtrojnë të dëmtuarin Mirsad Badallin. Fillimisht i pandehuri Koqinaj merret vesh me të pandehurën Krasniqi, që e njëjta të krijoj lidhje dashurie me të dëmtuarin Badallaj dhe më ajo nga xhirollogaria e të dëmtuarit Badalli ka transferuar shumat në lartësi prej 4 mijë e 395 euro.

Të njëtët janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar.

Në shqyrtimin e së mërkurës, prokurorja Ervehe Gashi, ka kërkuar nga gjykata që t’i përgjigjet kërkesave për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave avokatëve dhe të pandehurve.

“Dispozita e nenit 247 e Kodit të ri të Procedurës Penale, kërkon që ky shqyrtim të mbahet pas dhënies së përgjigjes me shkrim nga ana e prokurorit të shtetit, nga kjo konsideroj që ky shqyrtim nuk duhet të mbahet”- ka sqaruar Gashi.

Ajo ka shtuar se këto kërkesa i ka pranuar më 24 shkurt 2023.

Në mungesë të kushteve ligjore gjykimi nuk u mbajt. Ai i radhës u caktua për më 17 mars.

Sipas aktakuzës të datës 21 dhjetor 2022, Naser Koqinaj akuzohet për veprat penale të fajdesë, detyrimit dhënia e ryshfetit dhe mashtrimit.

Prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se nga marsi i vitit 2018 e në vazhdim deri në arrestimin e tij, fillimisht e ndihmon të dëmtuarin Mirsad Badalli që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhive si B. P. dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policor të krimeve ekonomike, pikërisht të pandehurin e dytë Ihsan Fetahu i cili e punon lëndën ku është i dëmtuar Naser Koqinaj, e pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare muaj për muaj mjete me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej 63 mijë e 888 euro e 40 centë.

Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale fajdeja.

Koqinaj dyshohet po ashtu se e ka detyruar të dëmtuarin Badalli të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e kanosur se do ta vret, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet dhe e detyronte të dëmtuarin të tërheqë para dhe t’ ia dorëzojë atij,

Prokuroria pretendon se Koqinaj i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 euro.

Me këto veprime Koqinaj ngarkohet se ka kryer veprën penale të detyrimit.

Tutje, thuhet se Koqinaj më 12 dhe 26 korrik 2019 në Prizren, për të dëmtuarin Mirsad Badalli jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar – të pandehurit Ihsan Fetahu në mënyrë që ky i pandehur të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare lidhur me kallëzimin penal që e ka ngritur në Prokurori ku Mirsad Badalli ka qenë i dëmtuar, saktësisht i jep dhuratë të pandehurit Ihsan Fetahu dy vetura, “WV Tauran” dhe “WV Golf”, të marra përmes kontratave të Lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën prej 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Me këto veprime Naser Koqinaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Ihsan Fetahaj po akuzohet se nga 12 deri më 26 korrik 2019, në cilësinë e personit zyrtar – hetuesi Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pranon nga i pandehuri Koqinaj dhuratë dy vetura, një veturë e llojit “WV Tauran”, dhe veturën “WV Golf”, vetura këto të marra përmes kontratave të Lizingut financiar të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Fetahaj akuzohet se ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Kujtim Gjilani po akuzohet se më 9 gusht 2020 në pikë kalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij.

Pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj, Gjilani i mundëson drejtuesit të automjetit Pezho kalimin e kufirit edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid – autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit.

Në mënyrë të njëjtë vepron edhe me datat 17 dhe 30 gusht 2020 dhe 16 tetor 2020, me këtë rast i sjellë drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me automjet në kundërshtim me Ligjit me nr. 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor dhe Ligjin nr. 05/L-132 për automjetet.

Për këto veprime, Gjilani po akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj, akuzohen se nga 29 gusht 2020, e deri 09 dhjetor 2020 në Prizren, në bashkëveprim, e mashtrojnë të dëmtuarin Mirsad Badallin.

Në akuzë thuhet se fillimisht i pandehuri Koqinaj merret vesh me të pandehurën Krasniqi, që e njëjta të krijoj lidhje dashurie me të dëmtuarin Badallaj dhe më pas e pandehura të kërkoj nga i njëjti t’i jep autorizim të pandehurës Arlinda Krasniqi, kështu e njëjta kur është autorizuar nga i dëmtuari Mirsad Badalli nga xhirollogaria e të njëjtit ka transferuar shumat në lartësi prej 4 mijë e 395 euro, e të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material për po të njëjtën vlerë.

Për këto veprime, Koqinaj dhe Arlinda Krasniqi në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprën penale mashtrim.