Ilustrim: Kufiri Kosovë- Maqedoni e Veriut
Dosja: Tentoi ta korruptonte policin kufitar me 5 euro, çka tha në gjykatë shoferi i autobusit?
Borçe Gjorçev, i akuzuar për dhënie ryshfeti për një zyrtari policor kosovar në pikën kufitare, ka dalë sot, më 19.08.2024 para Gjykatës së Prizrenit.
I akuzuari u pyet nga gjyqtarja e rastit Raima Elezi lidhur me pranimin ose mospranimin e fajësisë.
I akuzuari u përgjigj se ndjehet fajtor për veprën penale që akuzohet.
“Po të isha në gjendje të kthejë kohën, nuk do të kisha bërë një gabim të tillë, se me këtë gabim unë kam lënë familjen në një situatë të palakueshme”- tha i akuzuari Gjorçev.
Gjyqtarja Raima Elezi pas dëgjimit të palëve pranoi marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, të lidhur ndërmjet Prokurorisë në Prizren dhe të akuzuarit me datë 08.08.2024.
Në këtë marrëveshje është kërkuar që gjykata të akuzuarin ta shpall fajtor për shkak të veprës penale dhënia e ryshfetit, ashtu që gjykata t’i shqiptoj dënim me gjobë prej 200 euro dhe me dënim me burg prej 6 muaj, e në të cilën do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 02.08.2024.
Ndërsa, dënimi me burg prej 6 muaj, ishte kërkuar që të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumën prej 400 euro. Ashtu që në bazë të ligjit, të shqiptohet dënimin unik me gjobë në shumën prej 600 euro.
Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Borçe Gjorçev me datë 08.08.2024 për shkak që pretendohej se kishte kryer veprën penale dhënie e ryshfetit.
Ai akuzohet se me datë 02.08.2024 rreth orës 19:00, në pikën Kufitare të Vërmicës, deri sa ishte duke e drejtuar autobusin me udhëtarë, i kërkon udhëtarit L.R., që t’ia dorëzojë dokumentet e nevojshme zyrtarit policor, ku brenda librezës së automjetit paraprakisht kishte vendosur shumën prej 5 euro.
Me ç’rast ky i fundit pa i ditur pasojat, ia dorëzon dokumentet zyrtarit policor së bashku me kartëmonedhën në shumën prej 5 euro duke i thënë se “‘këto para i ke për një kafe”.
Shoferi i autobusit, i akuzuari në këtë rast, Borçe Gjorçev e ka pranuar se këto para i kishte vënë ai.