Pallati i Drejtësisë/ Foto-Urim Krasniqi

Dosja skandaloze - Dënim me kusht për dhunimin në Badovc

Një burrë, që akuzohet nga Prokuroria se ka dhunuar një grua, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës nuk e ka kaluar asnjë ditë në burg për këtë vepër penale.

Kjo pasi Gjykata e Prishtinës ka vlerësuar se dënimi me kusht ndaj tij e arrin qëllimin e dënimit.

Atij i është shqiptuar dënim me burgim prej 2 viteve, por që ai dënim nuk do të ekzekutohet fare nëse ai nuk kryen vepër të re penale brenda 3 viteve.

Në aktgjykimin që e ka siguruar KALLXO.com, gjykata është ndalur në një vlerësim të rrethanave të cilat i ka matë për shqiptim të dënimit.

Kjo gjykatë në një dosje dhunimi ka gjetur 6 rrethana lehtësuese, ndërsa ka arritur të gjejë vetëm 1 rrethanë rënduese.

Si rrethana që dërguan deri të dënimi me kusht e që nga gjykata u vlerësuan si lehtësuese, janë marrë: Pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit, pendimin e tij pas veprës, sinqeritetin e treguar nga i akuzuari gjatë procesit gjyqësor, gjendjen e rëndë ekonomike dhe faktin se i akuzuari nuk ka dosje të tjera penale para kësaj vepre.

Ndërsa si rrethanë veçanërisht rënduese gjykata vlerësoi intensitetin e rrezikimit apo të dëmtimit të vlerës së mbrojtur.

“Prandaj të akuzuarit i shqiptoi dënim si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, me bindje se dënimi i shqiptuar, i përgjigjet shkallës së rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale për të cilën edhe është shpallur fajtor, si dhe shkallës së përgjegjësisë penale të të akuzuarit dhe se me dënimin e shqiptuar kundër tij, do të arrihet qëllimi i dënimit i paraparë me nenin 34, të KPK” – thuhet në vendim të gjykatës.

Sipas dosjes së gjykatës, kuptohet se dhunimi ka ndodhur në vitin 2010, ku i akuzuari pas një kontakti dy javor me telefon me të dëmtuarën, pas takimit në Ulpianë, ai e ka dërguar të dëmtuarën në drejtim të një fshati, e pastaj më të arritur në Badovc, në një rrugë mali e ka nxjerrë nga vetura me forcë viktimën dhe pa dëshirën e saj ka kryer marrëdhënie seksuale me të edhe pse e njëjta ka rezistuar.

Pas dhunimit për të cilin është gjetur fajtor, ai kishte ikur nga vendi i ngjarjes.

Sipas prokurorisë, i akuzuari pas dhunimit ia ka vjedhë çantën e krahut viktimës me të holla, letërnjoftimin, kartelën e punës, një telefon dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes.

Për këtë akuzë të vjedhjes, i pandehuri nuk ka marrë dënim pasi ka ardhur deri të parashkrimi i veprës.

Vendimi për këtë dosje është marrë në vitit 2020.

Gjyqtarët qe kanë gjykuar këtë çështje janë gjyqtari Naser Foniqi – kryetar dhe Vesel Ismajli e Fatime Dërmaku si anëtarë të trupit gjykues.