Ilustrim

Dosja – Si dyshohet që përfituan deri në 300 mijë euro në muaj grupi që merrej me organizim të lojërave të fatit

13 të dyshuar kanë përfunduar nën pranga të Policisë së Kosovës pas një aksioni të zhvilluar në lokacione të ndryshme në Prizreni, Malishevë e Prishtinë.

Ata po dyshohen për vepra të ndryshme penale, si fajde, detyrim, skema piramidale, keqpërdorim të detyrës zyrtare, sulm e armëmbajtje pa leje.

Prokuroria pretendon se të dyshuarit kanë përfituar shuma nga 200 mijë deri në 300 mijë euro në muaj.

Në dosjen që e ka siguruar KALLXO.com thuhet se dy të pandehurit S.K. dhe P.K. posedojnë 200 pika të lojërave-basteve online nga të cilat përfitojnë shuma të mëdha të parave.

“Të pandehurit S.K., dhe P.K., ofrojnë, marrinë pjesë në organizimin e bixhozit, lojërave për të cilat nuk është dhënë licenca apo leje në atë mënyrë që posedojnë 200 pika të lojërave-basteve online nga të cilat përfitojnë shuma të mëdha nga 200 – 300 mijë euro në muaj”-thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë të pandehurit po dyshohen për veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Tutje prokuroria pretendon se tre të dyshuarit e tjerë, S.K., L.B., dhe S.G.,  duke përfituar gjendjen e rëndë financiare të personave të ndryshëm japin të holla në emër të fajdesë.

“Të pandehurit në bashkëkryerje kontraktojnë shuma joproporcionale në këmbim të shërbimit(dhënies së Borxhit) duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të personave në atë mënyrë që S.K., i jep të pandehurit L.B., dhe S.G., dhe pastaj këto të holla ia japin personave tjerë në emër të fajdesë, duke llogaritur interesin prej 10%, të cilat raste rezultojnë me dobi pasurore që tejkalon shumën 25 mijë euro” – përshkruhet në kërkesën e Prokurorisë

Me këtë të pandehurit dyshohen për veprën penale të fajdesë.

Pos kësaj i pandehuri S.G., dyshohet se ka poseduar edhe substancë narkotikë të llojit marijuanë.

I pandehuri I.G., sipas Prokurorisë dyshohet se poseduar 200 pika të lojërave-basteve online nga të cilat përfitojnë shuma të mëdha të parave nga 200-300 mijë euro në muaj.

I pandehuri L.B., zyrtar policor po dyshohet për gjashtë vepra penale dhe atë për keqpërdorim të detyrës, sulm, fajde, detyrim, armëmbajtje pa leje dhe organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Sipas Prokurorisë zyrtari policor, L.B., nga muaji mars-gusht 2022, nuk ka kryer detyrwn e tij, ku nw njw rast ku wshtw dashtw t’i merrej patent shofer, ai si zyrtar policor i shqipton vetëm gjobë.

“L.B., pranon të shkojë më një kundërvajtës të cilit i ishte konfiskuar patentë shoferi dhe lënda ishte në Gjykatë, pranon që të mos ia dorëzojë incizimin me pamje ku shihet shkelja e kundërvajtësit ashtu që më datë 3 korrik 2022 nuk ia konfiskon patentë shoferin kundërvajtësit edhe pse është dashur ta bëjë, por i shqipton gjobë”-përshkruhet në kërkesën e Prokurorisë.

Tutje thuhet se me datë 14 prill 2022, L.B., deri sa kanë qenë në kolonë, ka sulmuar të dëmtuarin duke e goditur me grusht në pjesën e fytyrës.

“Deri sa kanë qenë duke qëndruar me veturën e tij në afërsi të marketit, duke qëndruar në kolonë I afrohet këtu i pandehuri i kërkon të dëmtuarit ta hapë dritaren dhe i thotë se nuk ka arsye pse të parkohet pasi nuk është në detyrë zyrtare, në këtë moment i pandehuri ka tentuar me forcë ta hapë derën e veturës dhe pasi nuk arrin ta hapë, e godet 2-3 herë me grusht në fytyrë” – thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Sipas Prokurorisë L.B., dyshohet edhe për veprën penale të fajdesë ku nga i dëmtuari ka kërkuar shuma jo proporcionale në këmbim të shërbimit.

“Duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare kërkon nga vëllai i të dëmtuarit që përveç shumës 4,500 euro të cilat ia kishte paguar, të dëmtuari i kërkohen edhe 7,500 në emër të vonesës së kthimit” – thuhet në kërkesë.

Ndërkaq, nga muaji janar-mars 2022, L.B., dyshohet se ka kryer kanosje tek i dëmtuari, duke i dërguar mesazhe të shkruara si parapagesë në emër të shumës 4,500 euro si në dispozitivin e më lartë.

Me këtë dyshohet se kishte për të kryer veprën penale detyrim.

L.B., po ashtu dyshohet edhe për armëmbajtje leje. Sipas Prokurorisë i dyshuari me 5 tetor i është gjetur një pushkë gjuetie me 5 fishekë, një karikator, 8 fishekë gjuetie, 8 fishekë Lluger të kalibrit 9mm, 10 fishekë gjuetie, 3 fishekë S&B 11, 3 fishekë S&B 11, një fishekë 9 mm, 2 fishekë gjuetie, 1 fishek browning, një karikator dhe një shufër dore me ngjyrë të zezë.

Me këtë dyshohet se kishte për të kryer veprën penale armëmbajtja pa leje.

I pandehuri V.T., dyshohet se në lokalin e tij organizon lojëra të fatit online për të cilën nuk ka pasur leje.

Prokuroria për të njëjtin ka thënë se në mënyrë të kundërligjshme lokalin e tij e përdor për lojëra të fatit duke bërë shitjen e “uservae”.

Me këtë kishte për të kryer veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Të pandehurit B.K., dhe D.K., nga data e pacaktuar deri më 5 tetor 2022 në lokalin “…” në Zhur organizojnë lojëra të fatit online.

Kurse të pandehurit B.K., i është gjetur një revole VZOR 50 kalibër 7.65 të Cekosllovakisë.

I pandehuri A.G., A.D., B.K., A.G., H.Xh., A.S., dhe E.S., po ashtu dyshohen për organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.Të pandehurve i janë sekuestruar telefona dhe shuma të parave të përfituara nga lojërat e fatit.

Aksioni i cili u realizua dy ditë më parë është koordinuar nga Prokuroria e Prizrenit.

Aksion i gjerë në disa lokacione në Kosovë kundër fajdeve dhe detyrimit, i dyshuar edhe një polic

Zyrtari policor i dyshuar për fajde e bixhoz punon në Drejtorinë e Trafikut në Prizren