Dosja - Shtetasi i Shqipërisë i kërkuar nga Interpoli, dyshohet për kultivimin e drogës në Kosovë

Gojart Jahelezi, i lindur në Tropojë, i cili u arrestua në Kosovë datën e 28 shtatorit rezulton se është duke u kërkuar nga Interpoli. I njëjti është i gjykuar në Shqipëri në mungesë pas që kishte qenë i arrestuar atje, po ashtu për narkotikë.

Gojart Jahelezi u arrestua në Kosovë në një aksion të udhëhequr nga Prokuroria e Pejës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer edhe vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Bastisje për drogë në zonën e Dukagjinit – FOTO

Gjithashtu gjatë kontrollit në banesën e tij ne Gjakovë janë gjetur dhe sekuestruar edhe rreth gjysmë kilogrami substancë e dyshuar e llojit kokainë.

Prokuroria e Pejës ka konfirmuar për KALLXO.com se janë interesuar për të kaluarën kriminale të Jahelezit dhe ka rezultuar se ai është duke u kërkuar nga Interpoli. Kërkesa e Prokurorisë ishte bërë pas  arrestimit dhe dërgimit të të dyshuarit Jahelezi në paraburgim.

Ndër të tjera, KALLXO.com pati raportuar se Jahelezit i janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë në peshë prej 421 gramë, pajisje për vakum, një peshore elektronike, rroba dhe gjëra tjera. Jahelezi u arrestua bashkë me 6 persona të tjerë, më datën 28 shtator 2022.

“Me dyshimin e bazuar se të pandehurit Gojart Jahelezi, E. M., Z. M., E. J., F.D., F.G. dhe A.J., duke vepruar si bashkëkryerës kishin për të kryer vepër penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”- thuhet në kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit të siguruar nga KALLXO.com. Prokuroria e Pejës e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka bërë kërkesën që të kërkohet e kaluara kriminale nga Shteti i Shqipërisë e cila do e sqaronte qartë se a është duke u kërkuar atje.

Gjykata e Pejës i ka dërguar në paraburgim prej një muaji 7 të arrestuarit.

Gjykata e Pejës vendos për paraburgim për 7 të arrestuarit në operacionin e djeshëm kundër drogës