Arkiv - Foto: Kallxo.com

Dosja: Polici vodhi gëzhojën pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Gjashtë persona po akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Në aktakuzën 48 faqesh të Prokurorisë Speciale të cilën e ka siguruar KALLXO.com, përshkruhen detajet dhe veprat të cilat i kanë kryer gjashtë të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, ZarkoJovanoviq dhe Rade Basara.

Silvana Arsoviq, ish administratorja e zyrës së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, i vrarë më 16 janar të vitit të kaluar ka deklaruar se ka qenë e vetme në zyrë ditën kritike, duke shtuar se nuk kishte pasur qasje në kamerat e sigurisë dhe se nuk ka qenë në dijeni se a kanë punuar ato kamera gjatë muajit janar.

I akuzuari tjetër, Marko Roshiq, të cilit i është ngarkuar akuza për ndihmë në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ku sipas prokurorisë së bashku me Nedelko Spasojeviq, Rade Basaran, Milan Radojiqiq, Zvonko Veselinoviq dhe Zhelko Bojiq këta tre të fundit gjenden në arrati, kanë ndihmuar vrasjen, duke e përcjell Oliver Ivanoviqin.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të siguruar nga KALLXO.com, Roshiq kishte pranuar se njeh sigurimin e Milan Radojiqiqit ndërsa kishte shtuar se kishte dëgjuar për djegien e veturës së Oliver Ivanoviqit më 2017-n por se nuk kishte pranuar se afër vendit ku ishte djegur vetura e të ndjerit kishte kaluar me veturën e tij. Ai madje kishte deklaruar se Milan Radojiqiqin e kishte njohur vetëm si person por që nuk kishte ndonjë muhabet me të, ndërsa për vrasjen e Ivanoviqit ishte njoftuar përmes televizionit.

Nedeljko Spasojeviq hetues në stacionin policor në Mitrovicën veriore i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, ndihmë në kryerje të vrasjes së rëndë dhe për posedim të armëve pa leje, kishe deklaruar se së bashku me Zharko Jovanoviq pjesëtar i policisë, kishin shkuar në vendin e ngjarjes ku kishte dëgjuar edhe një zë duke qarë Olivere- Olivere.

Ai kishte deklaruar tutje se vendi i vrasjes nuk ka qenë i siguruar kur kishte shkuar ai atje, ku shton se më pas ka ardhur ndihma e shpejtë dhe ka marrë trupin e Ivanoviqit për në spital.

Ai kishte pohuar se kishte parë një gëzhojë të freskët dhe kishte shkuar në veturë ta marrë shiritin për të rrethuar vendin. Ai nuk kishte pranuar se pas vrasjes së Ivanoviqit së bashku me kolegun e tij kishin dërguar me veturë zyrtare një person në vendin ku është gjetur më pas vetura e djegur nga ku është qëlluar ish- politikani serb Ivanoviq. Gjitjashtu i njëjti kishte pranuar se e njeh Milan Radojiqiqin por që ishte shtuar se nuk ishte shoqëruar me të.

Zyrtari policor, Zharko Jovanoviq, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, manipulim me prova dhe armë mbajtje pa leje, ka deklaruar se së bashku me policin tjetër Dragisha Markoviq, kanë arritur në vend të ngjarjes për 15 sekonda dhe kishin njohur Oliver Ivanoviqin ku më pas Dragisha Markoviq kishte thirrur ndihmën e shpejtë ndërsa vetë Zharko kishte njoftuar stacionin policor. Ai kishte deklaruar se nuk kishte arritur të vërente njolla gjaku  ose diçka të ngjashme ndërsa kishte shtuar se ishte njoftuar nga Markoviq se dy gëzhoja janë në vendin e ngjarjes ndërsa të tretën gëzhojë e kishte gjetur vetë.

Ai kishte deklaruar se kishte marrë gëzhojën për ta shikuar pasi kishte besuar se ka qenë gëzhojë pas festimeve të vitit të ri serb ndërsa gëzhojën prapë e kishte lënë në tokë.

Ai kishte pranuar para prokurorisë se kanë qenë në patrullim të rregull dhe se kanë hasur në vetura pa tabela por që kjo për të ka qenë normale.

Polici Dragisha Markoviq akuzohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare ( ku sipas prokurorisë dyshohet se i ka dhënë informacionin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit një personi shtetas i Serbisë), keqpërdorim të detyrës zyrtare, manipulim me prova dhe armë mbajtje pa leje ka deklaruar se deri sa ka qenë në patrullë këmbësorie. Ai kishte deklaruar se nuk e kishte vërejtur veturën nga e cila është gjuajtur me gjashtë plumba Oliver Ivanoviq.

Rade Basara, polic hetues në Drejtorinë Rajonale në Mitrovicën Veriore, ka deklaruar se nuk e njeh Milan Radojiqiqin. Ai gjithashtu kishte deklaruar se nuk kishte marrë pjesë në hetimet e para për vrasjen e Oliver Ivanoviqit ngase kishte qenë në Kroaci. Ai kishte deklaruar se është në dijeni se në veri të Mitrovicës funksionojnë dhe ekzistojnë grupe kriminale që merren me djegien e veturave, vendosjen e bombave, plaçkitje të armatosura e disa raste të tjera.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme, në lidhje me deklaratat dhe detajet e aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, për vrasjen e Oliver Ivanoviq.

Ish- politikani serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar të vitit të kaluar para selisë së tij në Mitrovicën veriore.

Deri më tani as Prokuroria Speciale nuk ka arritur që të identifikoj dorasin apo dorasit e kryerjes së vrasjes së Ivanoviqit.

Prokuroria Speciale gjithashtu ka shpallur urdhër arrest ndërkombëtar për Milan Radojiqiq dhe Zvonko Vesenlinoviq, ku këta dy të fundit sipas prokurorisë cilësohen si  udhëheqës të grupit të cilët janë përfshirë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq.

Urdhër arrest vendor, Prokuroria Speciale ka shpallur ndaj Zhelko Bojiq, zyrtar policor në veri të Mitrovicës dhe Milan Mihajloviq i njohur si “Popi”.