Dosja: Policët e arrestuar në Karaçevë ishin dënuar më parë

Një rrjet i dyshuar kriminal ku bëjnë pjesë 12 Polici të Kosovës janë duke u hetuar për kontrabandë dhe pjesë e grupit të kazinove të Karaçevës.

Pjesëtarë të grupit të cilët u arrestuan të premten e kaluar janë të njohur edhe më parë për vepra penale.

KALLXO.com ka gjurmuar në dosje të gjykatës ku ka kuptuar se policët Imer Spahiu e Sokol Keka të cilët po mbahen në paraburgim ishin të dënuar më parë.

Sipas listës të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se ndaj Spahiut më 22.06.2012 ishte ngritur propozim akuza nga ana e Prokurorisë së Gjilanit.  Sipas burimeve të KALLXO.com, i njëjti është dënuar me 90 dit burg por me pëlqim të tij dhe të Gjykatës së Kamenicës, dënimi është ekzekutuar me para.

Sokol Keka edhe ky i dyshuar për kontrabandim në rastin e fundit në Karaçevë, më vitin 2012 kishte të hapura në prokurori për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe moslajmërim të veprës penale.

Edhe për Kekën, ishte dorëzuar propozim akuza në vitin 2012 nga ana e Prokurorisë së Gjilanit për veprat e lartpërmendura dhe njëjtë si Spahiu, është dënuar me 60 ditë burg por i njëjti ka ekzekutuar dënimin me 1 mijë euro para.

Këta zyrtar policor në Departamentin e Kufirit e të cilët u arrestuan të premten e 18 shtatorit në aksionin në Karaçevë kanë qenë të dënuar më herët për vepra penale.

Grupi dyshohen se lejuan kontrabandën  në këtë zonë e po ashtu mundësuan organizimin e lojërave të fatit.

Pjesë e grupit është edhe polici Ferid Leci, i cili dyshohet se është pronarë i njërës prej kazinove që funksiononte në Karaçevë.

Kërkesa për paraburgim thotë se njëra nga objektet e cila funksiononte si kazino në fshatin Karaçevë ishte në pronësi të zyrtarit policor Ferid Leci, madje i njëjti kishte ndihmuar duke u krijuar hapësira të lira disa qytetarëve që janë arrestuar në po të njëjtin aksion, të kryenin kontrabandë me kafshë.

Leci ishte dorëzuar një ditë pas aksionit në fshatin Karaçevë dhe tani gjendet në paraburgim.

KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me rolin dhe arrestimin e zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës më saktësisht të Departamentit të Kufirit të cilët u arrestuan mbrëmjen e 18 shtatorit në një aksion të gjerë të udhëhequr nga Prokuroria e Gjilanit, Inspektorati Policor i Kosovës dhe Departamenti kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit brenda Policisë së Kosovës.

Në po këtë aksion u arrestuan më shumë se 30 persona.

Pesë nga ta u liruan në procedurë të rregullt ndërsa për 30 persona është caktuar masa e paraburgimit, për kontrabandë e organizim të lojërave të fatit në Karaçevë.

Gjithashtu në fshatin Karaçevë u rrënuan 12 objekte në të cilën zhvilloheshin lojërat e fatit.