Millan Radoiçiq me grup në zonë malore në Leposaviq më datë 29.05.2023. Screenshot: Pokuroria Speciale

Dosja për “rastin Banjska”: Radoiçiqi dhe grupi i tij ishin të gatshëm për ta sulmuar Policinë në Leposaviq

90 ushtarë të KFOR-it mbetën të lënduar më 29.05.2023 në Zveçan gjatë një proteste të qytetarëve serbë kundër vendosjes së kryetarit shqiptar në objektin komunal.

Po atë ditë, Millan Radoiçiq bashkë me grupin e tij pretendohet se kanë qëndruar në gjendje gatishmërie për të sulmuar Policinë e Kosovës në Leposaviq.

Nga video incizimet që posedon Prokuroria Speciale dëshmohet se më 29.05.2023, Radoiçiq dhe grupi i tij, të veshur me uniforma ushtarake dhe të pajisur me armë të ndryshme kanë qenë të përgatitur për të sulmuar Policinë.

“Nga foto që janë gjetur në këtë dronë ka rezultuar se në këtë lokacion janë bërë fotografi, ku shihet Millan Radoiçiq me një grup të personave të veshur me uniforma ushtarake dhe të pajisur me armë të ndryshme, në gjendje gatishmërie për të ndërmarrë sulm të armatosur kundër Policisë së Kosovës në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës” – thuhet në aktakuzën për rastin e Banjskës, që ka siguruar KALLXO.com.

Millan Radoiçiq me grup në zonë malore në Leposaviq më datë 29.05.2023.
Screenshot: Pokuroria Speciale

Prokuroria thotë se kjo gjendje e gatishmërisë së grupit ishte parapërgatitje për kryerjen e sulmit në protestën e paralajmëruar nga serbët më datë 29.05.2023, në të cilën ditë protestuesit e dhunshëm serbë, kanë sulmuar KFOR-in tek objekti i Kuvendit Komunal në Zveçan me armë, mjete shpërthyese, koktej molotovi dhe mjete të forta.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se në të njëjtën ditë është raportuar për të shtëna me armë zjarri në zonën malore, në afërsi të Kuvendit Komunal të Leposaviqit, që korrespondon me lokacionin, ku grupi i Millan Radoiçiqit kanë lëvizur të armatosur dhe me uniforma në atë zonë.

Fotografitë e siguruara dëshmojnë se të paktën 10 persona kanë qenë bashkë me Radoiçiqin në zonën malore në Leposaviq.

45 të akuzuarit e Prokurorisë Speciale për sulmin terrorist në Banjskë janë Millan Radoiciq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dusan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vucetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momcilo Vuckoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Rados Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Milos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq, Vladan Iliq, person juridik “R” dhe person përgjegjës është R.S.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj ka njoftuar më 11.09.2024 se kanë ngritur aktakuzë për 45 persona për rastin e sulmit në Banjskë të Zveçanit.

Në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në fshatin Zveçan njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon drejtë brendësisë së fshatit Banjskë në të cilin gjenden dhjetëra shtëpi.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte një granatë kundër këmbësorisë me telekomandë kishte shpërthyer.

Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.

Përgjegjësinë për sulmin e po ashtu edhe logjistikën e kishte marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili është arrestuar më 03.10.2023 në Beograd.

“Për këtë nuk kam njoftuar askënd, as strukturat e pushtetit të Republikës së Serbisë, as në veri dhe nga ta nuk kam pasur asnjë ndihmë sepse deri në atë kohë kishim qëndrime të ndryshme të dallueshme sa i përket mbrojtjes nga terrori i Kurtit, pasi populli serb ka ofruar rezistencë ndaj terrorit të Kurtit shumë raste për zbutje dhe qetësim të situatës politike” – thuhej në letrën e Radoiçiqit, që e lexoi avokati i tij, Goran Petronijeviq, më 29.09.2024.

Në po të njëjtën letër, Radoiçiq shkroi se ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe.

Radoiçiq u intervistua nga Prokuroria në Serbi dhe është që të hetohet në liri ndërsa vazhdon të jetojë atje.

Më 08.09.2024, e para e shtetit, presidentja Vjosa Osmani tha në një intervistë në “Kallxo Përnime” se urdhri për këtë sulm është dhënë nga homologu i saj në Serbi, Aleksandar Vuçiq.

Ajo insistoi se ky sulm nuk duhet të quhet vetëm si sulm terrorist, por akt agresioni ndaj shtetit.

Që nga shtatori 2023 e tutje, Policia e Kosovës në dhjetëra raste ka kryer aksione në lokacione të ndryshme në komunat veriore duke gjetur një arsenal armësh që u përdorën e që pritej të përdoreshin në sulmin e Banjskës.

Armët, dyshohet se u futën në Kosovë nga rrugët ilegale, të cilat tashmë është njoftuar se veçse janë mbyllur në këto zona.

Hulumtimi i BIRN kishte bërë të ditur se prejardhja e disa prej armëve që u sekuestruan ishte nga Serbia.

BIRN kishte zbuluar se plumbat e sekuestruar nga serbët e armatosur në veriun e Kosovës u prodhuan në Serbi në vitin 2022, ndërsa predha mortajash dhe granatahedhës kaluan nëpër qendrat e mirëmbajtjes shtetërore serbe në vitin 2018 dhe 2021.

Çështja e Banjskës vazhdon të mbetet temë diskutimi në shumicën e takimeve ndërkombëtare për dhe rreth Kosovës dhe raporteve të saj me Serbinë.

Më 25.06.2024, zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, kishte ripërsëritur se Kosova është përgjegjëse për hetimet e sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë.

Në një konferencë për media, ai tha se hetimet duhet të bëhen nga autoritetet e Kosovës pasi rasti ka ndodhur brenda territorit të saj, teksa shtoi se ende nuk është ndarë me BE-në raporti final i hetimeve të plota.

Po atë ditë, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu i ishte përgjigjur Stanos, duke thënë se si qeveri, kanë përpiluar një raport 48 faqësh në lidhje me sulmin terrorist të cilin ia kanë dërguar BE-së dhe shteteve anëtare qysh vitin e kaluar (2023).