Dosja: Në investimet në Marec ‘zhduken’ muret e lumit dhe shëtitorja

Mbi gjysmë milioni euro janë paguar për rregullimin e shtratit të lumit “Marec” nga ministria e Mjedisit, por punët në teren nuk ishte realizuar siç ishin kontraktuar dhe ato ishin bërë pa leje ndërtimore e pëlqim ujor dhe mjedisore.

Një grup punues i themeluar nga ministri i Mjedisit për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave të financuara nga Ministria ka gjetur se nuk janë realizuar disa punë të kontraktuara, duke përfshirë muratimi i brigjeve të lumit dhe nuk është realizuar shëtitorja në afërsi të lumit.

“Punimet e kryera në terren nuk përkojnë as për së afërmi me projektin dhe punimet e përshkruara me kontratë”, thuhet në raportin e grupit punues të ministrisë së Mjedisit. Aty thuhet se ndryshimi i projektit ishte bërë bazuar në një raport të quajtur: Raporti për Harmonicimin e Projektit Rregullimi i shtratit të Lumit Marec. 

Ky raport i nënshkruar nga (i) Këshilltari i lartë i ministrit, (ii) Koordinatori i projekteve në MMPH, dhe (iii) Menaxheri i projektit, sipas grupit punes ka shumë mangësi pasi nuk fron arsyeshmëri të bazuar për ndryshimet e vendosura. 

“Ndryshimet e vendosura nuk janë të shoqëruara me zgjidhje adekuate teknike të dokumentuara, por krijojnë hapësirë për improvizime dhe konfuzio; nuk ofron analizë për implikimet financiare të ndryshimeve të bëra në projekt dhe për adresimin e tyre”, thuhet në analizën e bërë nga ekipi i ekspertëve të caktuar nga ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Grupi punues ka listuar punët e parapara në kontratë e që nuk ishin realizuar në teren, në përjashtim të punëve tokësore të gërmimit dhe definimit gjeometrik të shtratit të lumit.

“Nuk është realizuar mveshja/muratimi i fundit dhe brigjeve të lumit me gurë siç ka qenë e paraparë me projekt dhe kontraktuar me kontratë; gjithashtu nuk është realizuar mbeshja me gjeotekstil. Nuk janë ndërtuar mbrojtëse siç ka qenë paraparë me projekt dhe kontraktuar me kontratë”, thuhet në raportin e ekspertëve.

Tutje raporti thotë se në vend të urës automobilistike të paraparë me projekt dhe të kontraktuar me kontratë janë ndërtuar dy ‘lëshesa pllakore’ të cilat e ngushtrojnë rrjedhën e lumit dhe paraqesin fyt të ngushtë në rrjedhën e ujit.

Janë kryer punime të konsiderueshme të mbushjes me dhe në seksionin në afërsi të ‘lëshesës pllakore1’ te seksioni A119 të ‘lëshesës pllakore 2’ te seksioni B5 dhe te seksioni i lumit afër xhamisë.

“Nuk është realizuar shëtitorja buzë brigjeve të lumit siç ka qenë e paraparë me projekt dhe është kontraktuar me kontratë. Nuk janë ndërtuar muret mbrojtëse. Mbushja me gur të hudhur të brigjeve të lumit në seksione të caktuara është kryer pas përfundimit të projektit, nga komuniteti i fshatit”, thuhet tutje në raportin e Grupit Punues, konstatime që janë nxjerr pasi ekspertët e këtij grupi kanë dal në vendin që janë bërë punimet.

Projektet publike pa leje ndërtimore e pelqim mjedisor 

Një projekt i Ministrisë së Mjedisit për rregullimin e shtratit të lumit në fshatin Marec, që ka kushtuar rreth gjysmë milioni euro, është gjetur se nuk ka pasur leje ndërtimore, pëlqim ujor dhe as pëlqim mjedisor.Raporti i Grupit Punues të Ministrisë thotë se projekti kryesor nuk është i bazuar në asnjë kriter ekologjik dhe ka mangësi të mëdha projektuese.

Sipas tyre, për faktin se studimi hidrologjik prej 3 faqesh nuk është i bazuar në ndonjë standard praktik të trajtimit të projekteve të natyrës së tillë.

Për më tepër, raporti thotë se projekti i Rregullimit të shtratit të lumit Marec ka dokument të pranimit të projektit, por nuk ka konfirmim se projekti i dorëzuar i ka përmbushur kërkesat sipas detyrës projektuese. Faza e parë nuk ka pasur projekt ekzekutiv, por është zhvilluar në bazë të një paramase dhe parallogarie.

“Njësia kërkuese, pa i përmbushur kushtet ligjore e kishte iniciuar procedurën e prokurimit, ndërsa Divizioni i Prokurimit nuk e kishte kthyer mbrapa për plotësim, por i kishte zhvilluar procedurat deri në finalizim”, thuhet në Raport.

Tutje, thuhet se zgjidhja teknike nuk ka dëshmi se ka trajtuar kriteret ekologjike standarde të projektimit, si dhe problematika e aluvacioneve (inertet, rëra, zhavorri), nuk ka dëshmi se është trajtuar.

Ministria e Mjedisit i ka dhënë dy kontrata për rregullimin e shtratit të lumit Marec. Tenderi i parë ishte dhënë në tetor të vitit 2018 dhe kishte një vlerë prej 90 mijë e 338 euro. E njëjta kompani e kishte marrë edhe kontratën e dytë që ishte nënshkruar me 29 maj 2019 për këtë lum që kishte vlerën e 467 mijë e 226 euro.