Dosja ndaj zyrtarëve që akuzohen se regjistruan kundërligjshëm disa persona në Komunën e Fushë Kosovës

Latif Ibrahimi dhe Bejtullah Shala u ulën sot në bankën e të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas prokurores së shtetit Merrushe Llugiqi, të akuzuarit, duke qenë zyrtarë të gjendjes civile në Fushë Kosovë kishin regjistruar persona të caktuar në regjistrin e regjistrimit, pa bazë ligjore.

Në bazë të aktakuzës së ngritur në janar të vitit 2019, Latif ibrahimi dhe Bejtullah Shala në mënyrë të kundërligjshme, pa i përfillur procedurat e fitimit të shtetësisë, kanë regjistruar persona të caktuar me qëllim të sigurimit të çfarëdo dobie.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë periudhës kohore 2012-2016.

Ata u paraqitën sot para trupit gjykues të përbërë nga Kushtrim Shyti kryetar, dhe Fatime Dërmaku e Naser Foniqi anëtarë.

Të akuzuarit sot u përballen me deklarimet e dy dëshmitarëve nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Zyra e Gjendjes Civile e Fushë Kosovës.

Liridon Neziri – Udhëheqës i Divizionit për Shtetësi në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme u dëgjua sot në cilësinë e dëshmitarit, i propozuar nga prokuroria.

Neziri para trupit gjykues deklaroi se procedura për fitimin e shtetësisë dhe ajo e regjistrimit civil janë dy procedura të ndara dhe të cilat rregullohen me ligje të veçanta për secilën.

Ai u shpreh se gjithë zyrtarët e gjendjes civile në nivelin lokal u nënshtrohen trajnimeve me ç’rast certifikohen, lidhur me procedurat si duhet t’i kryejnë punët brenda kompetencave të tyre.

“Nuk ka kolizion mes Ligjit për Shtetësi dhe atij të Gjendjes Civile, kompetencat janë shumë të qarta”, u shpreh ai pasi u pyet nga gjyqtarja Fatime Dërmaku nëse ka paqartësi mes këtyre dy ligjeve.

Sipas dëshmitarit ka pasur raste kur janë bërë shkelje nga zyret e gjendjeve civile nëpër komuna.

“Rastet të cilat kanë qenë humbje të shtetësisë, ja u kemi përcjell zyreve të gjendjeve civile, nuk i kanë zbatuar për çka kemi marrë reagim të ashpër nga EULEX”- tha ai.

Udhëheqësi i Divizionit për Shtetësi shtoi se çdo ndryshim legjislativ që ndodh iu përcillet zyreve komunale të gjendjes civile, po ashtu edhe vendimet e nxjerra nga Divizioni për humbje apo fitim të shtetësisë.

Në cilësinë e dëshmitarit sot u dëgjua edhe Ekrem Gjinovci, Udhëheqësi i zyrës së gjendjes civile pikërisht të komunës së Fushë Kosovës.

Ai deklaroi se nuk e ka lexuar aktakuzën, por sqaroi për trupin gjykues se një person i cili nuk ka poseduar atë kohë dokument identifikues të UNMIK-ut ose vendim të fitimit të shtetësisë, nuk ka mundur të regjistrohet në Regjistrin e gjendjes civile.

Dëshmitari u shpreh se është në cilësinë e Udhëheqësit që nga viti 2011.

“Zyrtari i gjendjes civile vepron në mënyrë të pavarur kur trajton lëndë, mund të konsultohet me Udhëheqësin por nuk e ka obligim”- u shpreh ai në seancë.

Prokurorja Llugiqi hoqi dorë nga dëgjimi i dëshmitarëve: Hevzi Ahmeti; Fidanete Ahmeti; Sedat Ahmeti; Fatmire Ahmeti; Ruzhdi Ahmeti; Sahadete Ramadani dhe Haris Beka.

Seanca e ardhshme u caktua të mbahet më 1 qershor në ora 13:10, ku është planifikuar të dëgjohet dëshmitari Xhevat Prebeza – Udhëheqës në Qendrën e Procedimit të dokumenteve në Fushë Kosovë.

Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar është vepër penale e renditur në nenin 414 të Kodit Penal të Kosovës, i miratuar në vitin 2019.