Dosja ndaj të akuzuarve për prodhimin dhe shitjen e marihuanës

Ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit sot më datë 04.09.2024 në Gjykatën e Prizrenit, ndaj Ilir Ahmeti, Fatmir Halili dhe Ganimete Halili, të akuzuar për shitje të paautorizuar të substancave narkotike dhe kultivimin e substancave narkotike.

Kryetari i trupit gjykues Artan Sejrani bëri të ditur se nuk merr pjesë i akuzuari Fatmir Halili, pasiqë me parashtresë përmes emailit zyrtar mbrojtësja e tij Fatmire Braha ka njoftuar se i akuzuari Fatmir Halili gjendet jashtë Kosovës dhe se nuk ka dokumentacion për këtë arsye nuk mund të merr pjesë në seancën gjyqësore.

Pas kësaj, gjyqtari Sejrani njoftoi se seanca shtyhet në afat të pacaktuar.  Gjithashtu, për të akuzuarin Fatmir Halili gjykata do të lëshojë urdhërarrest.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Ilir Ahmeti, Fatmir Halili dhe Ganimete Halili dyshohen se si grup i organizuar pa autorizim janë furnizuar me substanca narkotike të cilat janë shpallur të rrezikshme-marihuanë, pastaj të njëjtën ua kanë shitur personave të ndryshëm dhe sipas marrëveshjes të pandehurit më dt. 05.03.2012 rreth orës 21:00 në fshatin Dubovc – Vushtri, në shtëpinë e të pandehurve Fatmir Halili e Ganimete Halili kanë poseduar substancat narkotike-marihuanë.

Sipas dosjes substancat i kanë përgatitur dhe paketuar në katër pako me marihuanë me peshë prej 4.277 gr dhe i kanë futur në një çantë dhe të njëjtën e kanë vendosur në ulësen e prapme të automjetit të markës “Golf 2”.

Të pandehurit në fjalë thuhet se substancat narkotike i kanë transportuar për në Mitrovicë, që të njëjtën ta shesin ku ka qenë duke i pritur blerësi. Por se në fshatin Shupkovë – Mitrovicë nga automjeti kanë zbritur të pandehurit Fatmir Halili e Ganimete Halili që ta presin derisa të kthehet i pandehuri Ilir Ahmeti, i cili me automjetin e tij ka vazhduar rrugën.

Në aktakuzë përshkruhet, se policia ka ndaluar të pandehurin Ilir Ahmeti dhe gjatë kontrollit policia në çantë ka gjetur dhe konfiskuar katër paketime të marihuanës.

Policia ka kontrolluar shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të pandehurve Fatmir e Ganimete Halili dhe kishte gjetur dhe konfiskuar 30 paketime me marihuanë me peshë të përgjithshme prej 30.308.6 kg. të përgatitura për shitje dhe 3,100 fara të kanabisit-marihuanës.

Me këto veprime pretendohet se të pandehurit kanë kryer veprën penale – Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve të rrezikshëm dhe e substancave psikotropike.

Tutje për të pandehurit Ilir Ahmeti, Fatmir e Ganimete Halimi sipas aktakuzës si grup i organizuar pa autorizim kanë kultivuar substanca narkotike – me qëllim shitje dhe se  gjatë verës të vitit 2011 janë marrë veshë dhe kanë kultivuar substanca narkotike ashtu që në pronën e të pandehurit Fatmir Halili kanë mbjellë një sipërfaqe me substanca narkotike-marihuanë ku edhe janë përkujdesur duke e ujitur.

Sipas dosjes farat e marihuanës i pandehuri Fatmir Halili i ka blerë diku në Itali, kurse për këtë i ka ndihmuar edhe bashkëshortja e tij e pandehura Ganimete Halili, ndërsa i pandehuri Ilir Ahmeti ka pas për detyrë edhe që t’i gjente blerësit dhe ta bëjë transportimin e substancës narkotike tek blerësit.

Këso dore pretendohet se kanë kryer veprën penale: Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe i substancave psikotropike.