
Dosja ndaj kardiologut të akuzuar se ndihmoi një të akuzuar që të mungonte në gjykim
Bekim Ademi, i akuzuar në cilësinë e kardiologut vaskular për “falsifikim të dokumentit” dhe Bozhidar Dejanoviq nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat që ua ngarkon Prokuroria Speciale.
Ademi është deklaruar “i pafajshëm” për pretendimin e Prokurorisë se kishte lëshuar një vërtetim mjekësor, që i ndihmonte të akuzuarit Dejanoviq (në një çështje tjetër gjyqësore), që të mungonte në një seancë.
I pafajshëm për këtë rast është deklaruar edhe Dejanoviq.
Gjyqtari, Rrahman Beqiri ka njoftuar palët se kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesë për hudhje të Aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Sipas Prokurorisë, më 30.08.2021, si mjek në QKUK ka falsifikuar dokumentet, me qëllim që t’i ndihmojë të pandehurit, Bozhidar Dejanoviq (tashmë i pandehur në këtë rast) që të shtyjë një seancë tjetër gjyqësore, e cila ishte paraparë të mbahej më 31.08.2021.
Sipas Prokurorisë, dy të pandehurit janë dakorduar në telefon më 28.08.2021, që Ademi si mjek kujdestar ta pranojë në Spital të pandehurin tjetër Dejanoviq, kinse për kontroll mjekësore duke e vendosur në shtrat të Spitalit, ku më pas Dejanoviq pasi regjistrohet në këtë Repart largohet nga Spitali.
Aktakuza thotë tutje se Ademi kishte përpiluar fletëlëshimin me të dhëna të pasakta, kinse Dejonaoviq kishte qëndruar në Spital nga data 28.08.2021 deri më 03.08.2021. Këtë dokument i akuzuari ia kishte dhënë – sipas Prokurorisë – mbrojtësit të tij, i cili e kishte prezantuar në Gjykatë për ta shtyrë seancën.
Me këto veprime – sipas Prokurorisë – Bekim Ademi akuzohet se ka kryer veprën penale “falsifikim i dokumentit”, kurse Dejanoviq akuzohet për veprën penale “legalizim i rremë”.