Ilustrim: Foto: Adelina Ahmeti/ KALLXO.com

Dosja ndaj gardianit të Burgut në Dubravë: Mori mbi 1 mijë 800 euro familjarëve të të burgosurve në këmbim të telefonatave pa limit

“N. ka thonë me ja çu 300 euro një shoku, mirë është i sistemuar, ja kam jep mundësinë me fol për çdo ditë në telefon”, “Shefqeti ka fillu me thirr vëllain tim duke i kërkuar para të tjera me arsyetim i ka thënë vëllait se unë i kam bërë transfer i’a kam ndihmuar në gjykatë”- këto janë disa prej dëshmive që janë marrë në lidhje me rastin e keqpërdorimit të detyrës zyrtare të gardianit të burgut të Dubravës, rast për të cilin Shefqet Gashaj tashmë po akuzohet nga prokuroria e Pejës.

Shefqet Gashaj, në cilësinë e gardianit në Burgun e Dubravës po akuzohet nga Prokuroria se lejoi telefonata për të burgosurit në këmbim të parave nga të njëjtit.

Prokuroria në Pejë, akuzon Gashajn se nga nëntori i vitit 2022 deri në fund të muajit janar 2023, kishte keqpërdorur detyrën e tij zyrtare në Burgun e Dubravës me qëllim që të përfitoj duke thyer edhe rregulloren e brendshme për tretmanin e të dënuarve dhe të burgosurve.

Dosja përshkruan se si Gashaj, deri sa ishte mbikëqyrës i Pavijonit numër 3 në Burgun e Dubravës në muajin nëntor të vitit 2022 nga një i burgosur kishte kërkuar shumën prej 300 euro, me arsyetimin se kishte bashkëshorten e sëmurë. Në këmbim të këtyre parave gardiani i kishte mundësuar të burgosurit që të bëjë thirrje telefonike në çdo kohë nga kabinat e Pavijonit numër 3. Dosja përshkruan se i burgosuri kishte kryer 240 telefonata.

Një tjetër marrëveshje me një tjetër të burgosur, Gashaj akuzohet se kishte kryer gjatë periudhës nëntor 2022- janar 2023. Gardiani sërish në burg, pavijonin e njëjtë në muajin dhjetor 2022 kishte kërkuar 500 euro nga një i burgosur tjetër me arsyetimin se do të kryej një ndërhyrje kirurgjike në gisht.

Paratë nga një familjar i të burgosurit, aktakuza e përshkruan se gardiani i mori në njërën nga lokalet e ushqimit në Istog. Në këmbim të parave gardiani e lejoi të burgosurin të kryej telefonata kohë pa kohë, ndërsa nga regjistrat doli se i burgosuri kreu gjithsej 301 telefonata.

Gashaj nuk u ndal pasi që një tjetër marrëveshje kishte bërë edhe me të burgosurin e tretë i cili përshkruhet në aktakuzë. Më 16.12.2022, Gashaj akuzohet se kishte kërkuar nga një i burgosur një vlerë prej 300 euro nën arsyetimin që sërish gruan e kishte të sëmurë.

Dosja përshkruan se Gashaj pranoi paratë nga një familjar i të burgosurit në një pompë të derivateve. Edhe për këtë të burgosur ishin lejuar thirrjet telefonike në çdo kohë ndërsa ai kishte shfrytëzuar vetëm 15 të tilla.

Në janar të vitit 2023 Gashaj akuzohet se si mbikëqyrës i Pavijonit numër 3 në Burgun e Dubravës, kishte kërkuar edhe 300 euro të tjera me arsyetimin se e ka bashkëshorten e sëmurë, nga i burgosuri i katërt i identifikuar në aktakuzë.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, Gashaj edhe në këtë rasti i tejkalon kompetencat e tij dhe shfrytëzon autoritetin zyrtar dhe të burgosurit i mundëson të bëjë thirrje telefonike nga kabinat e Pavijonit 3 në çdo kohë dhe atë 115 thirrje telefonike.

I pandehuri Shefqet Gashaj, duke qenë mbikëqyrës i Pavijonit numër 3 në Qendrën korrektuese të Dubravës, më datën 14.01.2023, nga i burgosuri kërkon një veturë në shfrytëzim, ashtu që pasi i pandehuri e pranon nga vëllai i të burgosurit veturën të cilën e shfrytëzon nga data 14.01.2023 – 26.01.2023 dhe në këtë mënyrë përfiton 480 euro i pandehuri Shefqet Gashaj i tejkalon kompetencat e tij dhe shfrytëzon autoritetin zyrtar dhe të burgosurit i mundësoi të bëjë thirrje telefonike nga kabina e Pavijonit 3 në çdo kohë.

Sipas Prokurorisë nga të gjitha këto marrëveshje duke thyer rregulloret e duke shkelur ligjin, Gashaj tejkaloi kompetencat e tij dhe përfitoi jashtëligjshëm 1 mijë e 880 euro për të mundësuar telefonatat për të burgosurit pa orar dhe në çdo kohë.

Nga deklaratat e dëshmitarëve, kryesisht familjarëve të të burgosurve që Gashaj akuzohet se u kërkoi para, përmendet fakti se gardiani i kishte thënë familjarit të një të burgosuri se paratë do ua kthente.