
Dosja - Komunikimet e Nagip Krasniqit me Dejona Mihalin, çka deklaroi kjo e fundit në Prokurori?
Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi po përballet edhe me një tjetër aktakuzë që ka të bëjë me veprën penale: “keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Aktakuza e fundit ndaj tij mban datën 30.12.2024. Krasniqi tashmë ka një rast tjetër gjyqësor, në cilësinë e të akuzuarit për pozitën e njëjtë si ish-kryeshef i KEK-ut.
Dosjen që ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se Dejona Mihali ishte ftuar në Prokurorinë Speciale më 20.09.2024 në cilësinë e dëshmitares për t`u intervistuar në lidhje me hetimet që po zhvilloheshin ndaj Nagip Krasniqi si kryeshef i KEK-ut, në bashkëkryerje me Ymer Dragushën (ushtrues detyre i drejtorit të Zyrës së Prokurimit) për çka edhe tani po akuzohen se nga nëntori i vitit 2022 e deri në fund të janarit të vitit 2023 kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare – duke i tejkaluar kompetencat që i kanë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tejkalimi i kompetencës është bërë që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër, në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S. A.”, në rastin e aktivitetit të prokurimit lidhur me “Riparimin kapital të kalldasë së bllokut A5”.
Ndonëse aktakuza është ngritur ndaj tre personave, në këtë rast në pyetje u mor edhe Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Ajo është përmendur në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria Speciale për Nagip Krasniqin, si dëshmitare në lidhje me krizën energjetike në Kosovë.
Dosja e prokurorisë, tregon se Nagip Krasniqi e Dejona Mihali kishin biseduar disa herë përmes platformave sociale, kryesisht në rrjetet “Signal” e “Whatsapp”. Mihali në dëshminë e saj në Prokurori Speciale ka deklaruar se e kishte takuar Nagip Krasniqin një apo dy herë në lidhje me krizën energjetike në Kosovë.
“Nagip Krasniqi e kishte njohur në kuadër të këtij komiteti nga viti 2009-2010 si ekspert të kësaj fushe. Ndërkaq, pas emërimit të të njëjtit si kryeshef ekzekutiv në KEK, e kishte takuar një apo dy herë dhe kishin diskutuar lidhur me krizën energjetike”- thuhet në dosjen e prokurorisë.
Mihali gjithmonë sipas aktakuzës, kishte dëshmuar se në emër të Lëvizjes Vetëvendosje kishte kërkuar informacione mbi gjendjen energjetike dhe se përmes platformave sociale WhatsApp, Signal, Viber, email dhe telefon kishte komunikuar disa herë, për gjendjen energjetike, komunikime lidhur me disa sinjalizime nga persona anonim që kishin marrë lidhur me remontin e TC Kosova A, por edhe disa artikuj nga portalet online.
“Të gjitha këto komunikime me të pandehurin janë zhvilluar në grupin e tyre në WhatsApp, ku ishin edhe Kryeministri, zv.Kryeministri, Ministrja e Ekonomisë, Ministri i Financave, si dhe këshilltari i Ministres së Ekonomisë”- kishte deklaruar Mihali, theksohet në aktakuzën ndaj Nagip Krasniqit.
Më tutje në dosje thuhet se Mihali kishte sqaruar se ‘shkëmbimi i informacioneve ishte brenda një grupi kolegial dhe të bashkëpunimit të mëhershëm dhe se nuk kishte të bënte me pozicione, duke shtuar se kjo ishte puna e saj e përditshme si koordinatore e Lëvizjes – duke qenë se kishte marrë pjesë në hartimin e programit qeverisës të Lëvizjes Vetëvendosje’.
Aktakuza të cilën e kanë punuar prokurorët specialë, Fikrije Fejzullahu dhe Ilir Morina, shpjegon se i akuzuari tashmë Nagip Krasniqi në periudhën kohore 2022-2023, në Prishtinë, me dashje, në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar si Kryeshef Ekzekutiv i KEK-ut, ka zbuluar fshehtësi zyrtare lidhur me procedurat e prokurimit të cilat po zhvilloheshin në KEK duke i ndarë me personin jo zyrtar, përkatësisht me Dejona Mihalin, e cila nuk mban asnjë pozitë zyrtare në administratën Shtetërore e për të cilat informata Krasniqi kishte qasje si rezultat i detyrës së tij dhe të cilat nuk ishin publike.
Tutje në aktakuzë përmenden edhe kohë të ndryshme të komunikimit mes Krasniqit e Mihalit për çka edhe thuhet se është kryer vepra penale e zbulimit të fshehtësisë.
Në dosje thuhet se më datën 02.07.2022, në ora 20:21, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, me Mihaili, i ka dërguar informatën lidhur me dyshimin për abuzimin e energjisë elektrike nga ana e KESH-it sipas marrëveshjes së datës 24.06.2022 në mes të KEK dhe KESH.
Një tjetër komunikim është ai i datës 22.04.2022, në ora 18:25, kur Krasniqi gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Dejona Mihalit dy dokumente për eksportet e energjisë elektrike për muajin mars – prill 2022, pas pranimit të lajmit nga ana e saj lidhur me publikimin e një informacioni nga portali ‘’Reporteri’’ me titullin “Kompania GEN e lidhur me ambasadorin Berisha mori 4.2 milionë euro nga Kosova për dy muaj të krizës energjetike”.
Më datë 24.02.2022, në ora 07:59, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ Krasniqi i ka dërguar Mihailit një dokument me titull “Agjenda e takimit të datës 09.02.2023’’, në të cilën janë të përfshira pikat kryesore si dhe termat e referencës për prokurimin e titulluar “Shërbime të Konsulencës Ligjore dhe Rregullatorët’’.
Dosja thotë se më datën 12.04.2023, në ora 16:25, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Dejona Mihali, një draft-autorizim për angazhimin e një konsulenti të jashtëm për asistencë teknike për sektorin e fushëveprimit të KEK-ut, përkatësisht angazhimin e ekspertit G. B.
Më e datën 04.08.2022, në ora 15:59, sipas aktakuzës gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ i ka dërguar Dejona Mihalit, kërkesën drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës përkatësisht kryeministrit të Kosovës dhe ministrave të Qeverisë për plotësim/ndryshimin e vendimit për shpalljen e emergjencës energjetike.
Më datën 29.09.2022, në ora 13:48, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’ me anëtarët e të njëjtit grup, Krasniqi e ka dërguar tabelën me të dhënat/çmimet e gjashtë (6) tenderuesve të cilët kanë ofertuar për aktivitetet e prokurimit: Riparimi kapital i kalldasë dhe Riparimi kapital i turbinës dhe gjeneratorit.
Tutje në aktakuzë thuhet se më datën 13.10.2022 , në ora 17:17, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’WhatsApp’’, në grupin ku bënte pjesë Dejona Mihali, Krasniqi e ka dërguar informatën të cilën e ka pranuar nga anëtari i komisionit të vlerësimit dhe negocimit Skender Isufi, në lidhje me tenderin me numër KEKC-22-287-51, përkitazi me ofertat e ofruara nga operatorët ekonomik si dhe komunikime tjera në këto platforma.
Një tjetër komunikim është ai më datën 16.05.2022, gjatë komunikimeve në rrjetin social ‘’Signal’’ Nagip Krasniqi i ka dërguar Dejona Mihalit, një komunikim-foto me shkrimin e tre emrave dhe pozitave të zyrtarëve në KEK: D. B., E. T. dhe M. K., pas të cilës e njëjta i kthen përgjigje dhe për secilin veç e veç i jep informata për profilin e secilit nga të lartcekurit.
Me të gjitha këto veprime që ka kryer Nagip Krasniqi prokurorët Fikrije Fejzullahu dhe Ilir Morina kanë akuzuar se i njëjti ka kryer veprën penale zbulim i fshehtësisë zyrtare duke i dhënë informacione Dejona Mihalit deri sa e njëjta nuk posedonte asnjë post shtetëror.
Ndryshe në aktakuzën e re e cila përmban shtatë diapozitiva (pika) të aktakuzës, Nagip Krasniqi mbi supe mban gjashtë prej tyre. Në katër prej pikave të aktakuzës, Krasniqi në bashkëkryerje me Ymer Dragushën akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa në pikën e shtatë, Isuf Zejna akuzohet për ndihmë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Këtë cilësi, Dragusha e ka arritur më 19.05.2023 për katër veprat penale për të cilat akuzohet në bashkëkryerje me Krasniqin.
Pas arritjes së marrëveshjes, Prokuroria është pajtuar që t’i propozojë gjykatës që Dragushës t’i caktohet dënimi me kusht në kohëzgjatje prej 2 viteve, me qëllim që ky dënim të mos ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepra të tjera penale gjatë periudhës së verifikimit në kohëzgjatje prej 2 viteve.
Skandali me milionat në KEK, i bashkakuzuari bën marrëveshje me prokurorinë
Aktakuza e fundit ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, mban datën 30.12.2024.
Dosja e Prokurorisë ndaj Nagip Krasniqit, çka thotë aktakuza e re për ish-kryeshefin e KEK-ut?