Dosja: Gruaja u rrah në Lipjan pasi vjehrra i kushtëzoj blerjet në shtëpi

Një burrë inicialet e të cilit janë I.O., është dënuar me kusht dhe me gjobë për rrahjen e gruas së tij në nëntorin e vitit 2021.

Ngjarja ka ndodhur në Lipjan dhe i kishte paraprirë një mosmarrëveshje që kishin pasur në shtëpinë e tyre.

Sipas dosjes së gjykatës, I.O., kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikike në vazhdimësi ndaj gruas së tij me inicialet F.B.

Dosja përshkruan edhe se çifti ishin ndarë për shkak të dhunës së ushtruar e më pas ishin bashkuar sërish.

Në ditën kritike më 7 nëntor 2021, sipas vendimit të gjykatës, gruaja e të pandehurit ishte fjalosur me vjehrrën e saj në lidhje me gjësende që duhej bliheshin për shtëpi.

“Nëna e I.O., i kishte thënë, gjërat që blihen në këtë shtëpi, duhet të blej vetëm unë, e ti vetëm ki me punu e kurrgjë tjetër”- përshkruhet ngjarja kritike që ka ndodhur në nëntor të vitit 2021.

Kjo fjalosje sipas dosjes, nuk i kishte pëlqyer tashmë të dënuarit I.O., dhe i njëjti kishte filluar ta qortonte gruan e tij e më pas e kishte goditur me grushte në krah.

Si pasojë e këtyre goditjeve gruaja kishte pësuar ndjenjë të frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë.

Me këto veprime I.O., është akuzuar fillimisht nga prokuroria për dhunë në familje ndërsa Gjykata në Lipjan e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 8 muajve i cili dënim nuk do të ekzekutohej në rast se i pandehuri në një afat prej një viti nuk kryen vepër penale tjetër.

Gjithashtu gjykata e kishte dënuar me gjobë I.O., prej 400 eurove.

Në anën tjetër gruaja F.B., ishte udhëzuar që kërkesën pasurore juridike ta realizoj në procedurë të rregullt civile.

Prokuroria Themelore në Prishtinë me aktakuzën e saj, tё datës 14.02.2022, e ka akuzuar, të pandehurin I.O. nga një fshat i Lipjanit, për shkak të veprës penale dhuna në familje.

Prokurorja e shtetit në shqyrtimin gjyqësor me rastin e pranimit të fajësisë nga ana e të pandehurit ka deklaruar, se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit, sepse ky pranim i fajësisë ka mbështetje në shkresat e lëndës si dhe bazë ligjore, andaj i ka propozuar gjykatës qe t’i vlerësoj rrethanat rënduese dhe lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.

Mbrojtësi i të pandehurit ka deklaruar se palët kanë pasur një mosmarrëveshje momentale e cila është shndërruar në problematikë nga e cila dënimi më i madh është duke iu shkaktuar të gjithëve sidomos fëmijëve.

I mbrojturi i tij ka dhënë garancion dhe ka deklaruar se kurrë nuk do të ushtrojë ndonjë dhunë apo ndonjë ofendim në bashkëjetuesen e saj F. dhe se do t’ia plotësojë të gjitha kushtet sipas mundësive të tij.

Po ashtu në bazë të shkresave të lëndës dhe aktakuzës është theksuar se veçanërisht nëna e I.O., që në një mënyrë e ka kundërshtuar F.B., dhe se për t’iu plotësuar edhe ky kusht i mbrojturi i tij publikisht ka deklaruar se do të largohet nga ajo dhe do të vendoset në një banesë me qira në Lipjan për të ruajtur martesën dhe fëmijët.

I pandehuri në shqyrtimin fillestar ka deklaruar, se e pranon fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë dhe njëherit ka shtuar se ditën kritike ka qenë tepër i lodhur dhe në ato rrethana që ka deklaruar në seancën e kaluar mosmarrëveshja ka ndodhur e atëçastshme, i ka kërkuar falje të dëmtuarës për atë që është ndjerë e lënduar, dhe i ka premtuar se në çdo kohë nëse është e nevojshme edhe të dal nga shtëpia se bashku me të dhe të marrin një banesë me qira vetëm që të mos prishet familja.