Dosja e të dënuarit që ngacmoi seksualisht një grua në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj ka publikuar dosjen me të cilën dënon me nëntëdhjetë ditë burg efektiv të pandehurin H.Rr., i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual”.

Sipas dosjes së gjykatës, e dëmtuara V. D. deri sa ishte duke ecur me kunatën e saj në drejtim të sheshit, H. Rr. i është afruar viktimës dhe e ka prekur me dorë në organin gjenital.

“Më datë 17.02.2016 rreth orës 19:00 afër shitores deri sa e dëmtuara V. D. bashkë me kunatën e saj kishin qenë duke ecur në drejtim të sheshit, kurse para tyre kishin qenë burri i saj së bashku me kunatin e saj, deri sa kishin qenë përballë kalim ju kishte afruar i pandehuri afër dhe me dorë e kishte prekur viktimën në organin gjenital”, thuhet në dosjen e gjykatës.

Tutje në aktgjykim përshkruhet se në atë moment viktima nuk kishte reaguar fare pasi kishte menduar se kishte ndodhur aksidentalisht, mirëpo i pandehuri përsëri e kishte prekur me dorë në të njëjtin vend.

“Mirëpo viktima në ketë moment nuk kishte reaguar fare duke menduar se kishte ndodhur aksidentalisht, mirëpo pas pak nga mbrapa i kishte ardhur i pandehuri H. Rr. dhe prapë me dorë e kishte prekur në të njëjtin vend si në herën e parë ashtu që e kishte hetuar kunati i saj B., i cili e kishte ndaluar të dyshuarin duke e dorëzuar në polici”, bëhet e ditur në aktgjykim.

Gjykata duke u bazuar në dispozitën ndëshkimore, të pandehurit H. Rr. i cakton dënim me burg efektiv në kohëzgjatje prej 90 ditëve i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Me rastin e matjes së llojit dhe lartësisë së dënimit për të akuzuarin, Gjykata ka vlerësuar rrethanat në dhe gjeti si rrethanë lehtësuese se i akuzuari deri tani nuk ka qenë i dënuar me ndonjë aktgjykim të formës së prerë.

Ndërsa në rastin konkret, Gjykata si rrethanë veçanërisht rënduese vlerësoi shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit si dhe rrezikshmërinë konkrete të veprës penale, veçanërisht duke marrë parasysh veprimin e ulët të tij për të kryer ketë vepër penale.