Foto: KALLXO.com
Dosja e Prokurorisë: Të pandehurit nga i dëmtuari në emër të borxhit për fajde morën banesa e lokale në vlerë qindra mijëra euro
Gjykata e Prizrenit ka caktuar më 01.11.2024 masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve për fajde dhe detyrim.
Kështu, Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorit të rastin, Petrit Kryeziu, për 6 të pandehurit, të cilët janë arrestuar në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës më 31.10.2024 në kuadër të operacionit “Milioni”.
Të pandehurit në këtë rast janë Leotrim Muçaj, Bekim Kabashi, Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Durim Gashi dhe Kujtim Kabashi.
KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë për këtë rast.
Sipas Prokurorisë, i dëmtuarit M.K., i cili ndodhej në vështirësi financiare pasi kishte nisur një biznes gastronomie, kishte marrë nga i pandehuri Leotrim Muçaj një shumë prej 10,000 euro me kamatë prej 10% në muaj.
Për shkak të vështirësive për shlyerjen e borxhit me kohë, kamatat u grumbulluan në shumën prej 30,000 euro.
Për të shlyer këtë shumë, viktima M.K. u detyrua t’ia dorëzojë Muçajt banesën e tij 112 m2, me vlerë 65,000 euro, në kompleksin “Theranda e Re” në Shirokë të Suharekës.
Në vitin 2022, i dëmtuari sërish kërkoi 10,000 euro të tjera me të njëjtat kushte interesi, me ç‘rast kamatat arrijnë vlerën 14,000 euro. Si rezultat, ai u detyrua t’ia dorëzojë Muçajt një banesë tjetër prej 80 m2, me vlerë tregu 44,000 euro.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se i dëmtuari të pandehurit Leotrim Muçaj i ka paguar në emër të kamatave në total 89,000 euro.
Leotrim Muçaj dyshohet për veprën penale – fajdeja.
Sipas hetimeve, Bekim Kabashi i ka dhënë të dëmtuarit M.K. shumën 75,000 euro si borxh, me një kamatë mujore prej 8%.
Për shkak të pamundësisë që i dëmtuari ta shlyente borxhin me kohë, kamata u grumbullua në shumën 24,000 euro.
I dëmtuari, në pamundësi për të paguar këtë shumë është detyruar t’i japë Kabashit një banesë prej 300 m2, me vlerë 150,000 euro, dhe një lokal afarist me sipërfaqe 242 m2, me vlerë totale prej 205,700 euro.
Në total, i dëmtuari ka pësuar një dëm që kap vlerën 280,700 eurove.
Me këto veprime, Bekim Kabashi dyshohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.
Gjithashtu, i pandehuri Bekim Kabashi dyshohet edhe për veprën penale – armëmbajtje pa leje.
Sipas dosjes, I dëmtuari M.K. kishte marrë nga i pandehuri Lulzim Ahmetaj shumën 7,000 euro me kamatë javore prej 2,000 euro, dhe i dëmtuari ka arritur të paguajë për katër javë rresht shumën prej 8,000 euro.
Në pamundësi të pagesës me kohë kamatat i grumbullohen në shumën prej 12,000 euro dhe, në pamundësi të kthimit të këtyre kamatave, i pandehuri me pretendimin se kinse të hollat nuk ishin të tijat, të dëmtuarit i ofron si ndihmë një traktor, të cilin ia llogarit në vlerë prej 12,000 euro, dhe nëntë lopë, të cilat ia llogarit në vlerë prej 17,000 euro. Pas shitjes së tyre, me ato të holla i dëmtuari i paguan kamatat të pandehurit, megjithëse ishin rritur edhe më tutje vlerat e kamatave.
Sërish, i pandehuri i ofron të dëmtuarit një veturë “Pick Up,” të cilën ia llogarit në shumën prej 5,000 euro dhe krerë lopë në një shumë të përgjithshme prej 60,000 euro.
Në pamundësi të kthimit të të hollave, nga i dëmtuari në emër të kamatës nënshkruan para-kontratë për marrjen e një banese me sipërfaqe prej 100 m2, e cila gjendet në katin e dytë të kompleksit afarist-banesor “Theranda e Re,” një lokal me sipërfaqe prej 100 m2 në katin përdhes dhe një garazh, të gjitha në të njëjtin kompleks banesor, të cilat kapin vlerën 150,000 euro.
Me këto veprime, i pandehuri Lulzim Ahmetaj dyshohet për veprën penale – fajdeja.
Gjithnjë sipas dosjes, i dëmtuari M.K. pasi që ishte futur në borxhe, nga i pandehuri Xhevdet Kokollari merr shumën e të hollave në shumën 10,000 euro, me kamatë mujore prej 30%.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se i dëmtuari arrin të paguajë për një vit nga 3,000 euro në muaj, në total i dëmtuari paguan 36,000 euro, kurse borxhi, bazuar në shumën prej 10,000 euro, mbetet i pambyllur.
Në pamundësi të pagesës, kamatat grumbullohen dhe i dëmtuari sërish nga i pandehuri merr disa krerë lopë në vlerë prej 36,000 euro.
Në pamundësi të kthimit të këtyre kamatave, i pandehuri e obligon të dëmtuarin në pagesën e kamatave prej 90,000 euro, ose në të kundërtën t’i ofrojë objekt banesor me sipërfaqe prej 200 m2 në kundërvlerë për kamatën prej 90,000 euro, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm dhe humbje në shkallë të madhe.
I pandehuri Xhevdet Kokollari dyshohet se ka kryer veprën penale – fajdeja dhe veprën penale – armëmbajtje pa leje.
I pandehuri Durim Gashi, në muajin qershor të vitit 2021 e deri në fillim të hetimeve, në Suharekë, dyshohet se me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, duke e shfrytëzuar gjendjen financiare në të cilën gjendej i dëmtuari M.K., pasi që i dëmtuari nuk po arrinte që t’ua paguante kamatat personave të tretë, gjatë muajit qershor të vitit 2021, pasi kupton që i pandehuri Gashi lëshon para me fajde, shkon te një pompë derivatesh që ndodhet në fshatin Korishë dhe po në të njëjtin vend i dëmtuari merr shumën e të hollave në vlerë prej 20,000 euro me kamatë mujore prej 8%. Më pas, nga ajo ditë brenda një muaji e gjysmë disa herë merr të holla “cash”, duke arritur në shumën prej 120,000 euro, ku të gjitha këto kamata mujore prej 8%, me interes mujor në shumën prej 10,000 euro, ndërkohë që i dëmtuari për 12 muaj rresht arrin që të paguajë kamata mujore në shumën prej 10,000 euro dhe duke i dhënë gjithsej rreth 120,000 euro në emër të kamatave, por që pas kësaj kohe i dëmtuari nuk arrin më që të paguajë kamatat.
Tutje në dosje përshkruhet se në muajin qershor të vitit 2023, i pandehuri takohet me të dëmtuarin dhe me vëllanë e tij L.K., dhe në emër të kamatave kërkon shumën prej 320,000 euro dhe në vlerë të kësaj shume kërkon nga të dëmtuarit që t’i japin një banesë prej 750 m2 në fshatin Shirokë. Pas kësaj, nga frika të dëmtuarit pajtohen t’ia japin banesën e kërkuar, por për shkak se punëkryesit nuk arrijnë ndërtimin me kohë, i pandehuri në muajin maj të vitit 2024 nga i dëmtuari kërkon rritjen e metrave të banesave dhe më pas arrin që të nënshkruajnë një para-kontratë, të cilës i vendosin datën 20.03.2023 për shitblerjen e banesave në sipërfaqe prej 1,180 m2 në kompleksin banesor “Theranda e Re” në fshatin Shirokë, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarve në vlerën e banesave në shumën prej 715,000 euro.
Me këto veprime i pandehuri Durim Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale – fajdeja.
Gjithashtu, më 08 shkurt të vitit 2024, në Suharekë dhe në Prishtinë, i pandehuri Durim Gashi me dashje ndërmerr veprime me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore. I njëjti, sipas dosjes, përdor forcë dhe kanosje serioze ndaj të dëmtuarve M.K. dhe L.K., për t’i detyruar të dëmtuarit që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre duke e përdorur forcën dhe kanosjen me qëllim të realizimit të përfitimit nga kontraktimi i shumës joproporcionale. Më 08.02.2024, i pandehuri takohet me të dëmtuarit në një pompë derivatesh në Prishtinë, dhe nga aty i merr me veturë, të cilën veturë e drejton A.G.
Sipas dosjes, i pandehuri i thotë që të drejtohet në drejtim të Suharekës dhe aty fillon që ta kanosë të dëmtuarin, të cilin për një moment e kap për fyt duke iu drejtuar me fjalët: “Do të dërgoj në shtëpi dhe do të lidh si qenin”.
Më pas ndërhyn i dëmtuari L.K. dhe gjatë rrugës ata në mënyrë verbale arrijnë marrëveshje që t’i japin banesat në emër të kamatave e më pas i pandehuri sërish i kthen në vendin ku i kishte marrë, dhe pas kësaj date i pandehuri vazhdon që t’i kanosë të dëmtuarit derisa arrin që të nënshkruajnë kontratën për marrjen e banesave në sipërfaqe prej 1,180 m2 në kompleksin banesor “Theranda e Re” në fshatin Shirokë, duke u shkaktuar të dëmtuarve dëm në vlerën e banesave në shumën prej 715,000 euro.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale – detyrimi.
Në dosjen e Prokurorisë për të pandehurin Kujtim Kabashi përshkruhet se i njëjti nga muaji korrik i vitit 2024 deri në fillimin e hetimeve dhe në vazhdimësi, në Suharekë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit.
Aty thuhet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare – personale në të cilën ishte futur i dëmtuari M.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte futur në borxhe dhe kamata të papërballueshme, merr nga i pandehuri Kujtim Kabashi shumën e të hollave prej 1,500 euro me kamatë javore prej 450 euro.
Me ç’rast i dëmtuari arrin të paguajë për dy muaj rresht shumën prej 900 euro.
Tutje, përshkruhet se në pamundësi të pagesës me kohë, kamatat grumbullohen dhe arrijnë shumën prej 9,600 euro, veprime këto me të cilat i pandehuri pretendon t’i shkaktojë dëm të dëmtuarit në vlerë prej 9,000 euro.
E më këto veprime, sipas Prokurorisë, kishte për të kryer veprën penale – fajdeja.
Në seancën e mbajtur më 01.11.2024, avokatët e të pandehurve kanë kundërshtuar kërkesën e prokurorit Petrit Kryeziu për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturve të tyre.
Fillimisht u deklarua mbrojtësi i të pandehurit Leotrim Muçaj, avokati Agim Kabashi. Ai kundërshtoi kërkesën për caktimin e paraburgimit ngase, sipas tij, nuk ekziston asnjë arsye ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.
Ndër të tjera, avokati Kabashi tha se në fakt, i pandehuri i kishte dhënë një shumë të caktuar parash të dëmtuarit si ndërmarrës në emër të ndërtimit dhe blerjes së banesës dhe, meqenëse i dëmtuari nuk kishte përmbushur detyrimin, ka kërkuar kthimin e parave në vlerën e njëjtë.
I njëjti për të mbrojturin e tij kërkoi që Gjykata të caktojë masën e arrestit shtëpiak. Me fjalët e avokatit u pajtua edhe i mbrojturi i tij.
Mbrojtësi i të pandehurit Bekim Kabashi, avokati Natal Bullakaj, kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë.
Gjatë fjalës së tij, avokati deklaroi se konsideron se i mbrojturi i tij nuk ka interes të ikë apo të fshihet, sepse në interesin e tij është që të zbardhet kjo çështje.
“I mbrojturi im nuk i ka dhënë para me kamatë të dëmtuarit, por përkundrazi, ka tjetërsuar apo shitur pronën e tij personale dhe nga i dëmtuari, në emër të shitblerjes, ka blerë banesë, ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e kërkesës’’ – tha avokati.
Me fjalët e avokatit u pajtua edhe i mbrojturi i tij, i pandehuri Bekim Kabashi.
Kërkesën për caktimin e paraburgimit e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të pandehurit Lulzim Ahmetaj, avokati Ethem Rugova.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Xhevdet Kokollari, avokati Valdet Hoxha, tha se e kundërshton në tërësi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij.
Me fjalët e avokatit Hoxha u pajtua edhe i mbrojturi i tij.
Kërkesën nga ana e Prokurorisë e kundërshtoi edhe mbrojtësi i të pandehurit Durim Gashi, avokati Forti Skoro. Ndër të tjera ai potencoi se veprimet e të mbrojturit të tij nuk kanë të bëjnë me përfitim të kundërligjshëm të pasurisë për vete në shuma dukshëm joproporcionale, dhe ai ka një raport juridik civil me të dëmtuarin në bazë të kontratës së datës 20.03.2023.
Edhe i pandehuri Durim Gashi tha se me M.K. “që po thonë se e kam kërcënuar, ne rrimë gati Էdo javë, jemi shokë”.
Gjithashtu, edhe mbrojtësi i të pandehurit Kujtim Kabashi, avokati Liridon Bullakaj, e kundërshtoi kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Pas tij, i pandehuri Kujtim Kabashi deklaroi se “është e vërtetë që ia kam dhënë të hollat për ta paguar ai një shitblerje të tokës dhe i kam besuar aq shumë, që jam në gjendje edhe shtëpinë me dhënë për besimin e tij, faleminderit nga ai që më ka pru në këtë pozitë të vij këtu para Prokurorit të Shtetit dhe Gjykatës edhe gjyqtares”.
Shënim: Titulli i artikullit është edituar. Koha e editimit: 01.11.2024, ora 23:58.