Dosja e Prokurorisë, të dyshuarit kishin kërcënuar me vrasje viktimat e fajdes

Dosja e fajdeve e Prokurorisë së Ferizajt thotë se dy të dyshuarit e arrestuar kishin kërcënuar se do t’i vrasin dy viktimat e fajdes.

Sipas Prokurorisë, Ajvaz Muzaqi, njëri nga pronarët e autosallonit ‘Buna M’ dhe i dyshuari tjetër, Mujë Ademi, kishin kërcënuar se do t’i vrasin dy të dëmtuarit nga fajdetë, me inicialet B.G. dhe S.B.

“..në atë mënyrë që paratë që i kanë dhënë me fajde, i kanë kanosur seriozisht se do tu shkaktojnë ndonjë të keqe ose do t’i vrasim pasi që të dëmtuarit për shkak të vështirësive ekonomike, nuk arrinin që t’i kthenin me kohë shumën e parave në emër të fajdes” – thuhet në dosjen e Prokurorisë.

KALLXO.com ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Ferizajt lidhur me arrestimin e 15 persona, të cilët dyshohen për veprën penale – fajde.

Dy biznesmenëtë tjerë të njohur në vend janë arrestuar në fund të javës nën dyshimet se janë përfshirë në veprimtari të fajdeve.

Bashkim Osmani, pronari i kompanisë “Dona Laberion”, dhe Shefik Rexhepi, pronar i kompanisë ‘Euro Ab”, dyshohen për një rast të fajdeve, ku vlera tejkalon shumën 1 milion euro.

Një biznesmen tjetër me emrin Skender Bajrami, pronar i autosallonit ‘Alberti’, dyshohet se është përfshirë në veprën penale të fajdes.

Dosja e fajdeve nga Prokuroria e Ferizajt e përfshin edhe një biznesmen tjetër, me emrin Egzon Salihu, pronar i autosallonit ‘Lipjani’.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka dyshime të bazuara se në dosjen e fajdeve janë përfshirë edhe dy autosallone të tjera në Kosovë.

Dosja e fajdeve, si u përfshinë pronarët e autosallonit ‘Buna M’ në fajde