Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj të dyshuarit për terrorizëm që iu gjetën zolla dhe drogë
Burim Dibrani është i arrestuari nën dyshimin për terrorizëm, në banesën e të cilit Policia gjeti armatim luftarak, tri zolla, municione dhe drogë.
Policia i ra në gjurmë këtij të dyshuari për terrorizëm, pasi i njëjti ishte raportuar për “dhunë në familje”.
Ndaj të njëjtit Prokuroria Speciale ka kërkuar në Gjykatën e Prishtinës masën e paraburgimit si masë të sigurisë ndaj tij.
Dibrani u ndalua më 09.01.2025, pasi në banesën në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë gjatë kontrollit policor i janë gjetur tri zolla dhe lëndë narkotike.
Sipas Prokurorisë Speciale, nga koha e pavërtetuar e deri më 08.01.2025, i pandehuri ka përgatitur veprime terroriste në atë mënyrë që paraprakisht ka siguruar tri armë të rënda – armë këto të parapara për akte terroriste.
Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale ekziston dyshim i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale: “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” – nga Neni 138 i Kodit Penal.
I njëjti dyshohet edhe për veprën penale: “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Po ashtu, ndaj tij ekziston dyshim i bazuar se i njëjti ka blerë dhe shitur substanca narkotike.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit më 08.01.2025 në banesën dhe objektet përcjelllëse të tij gjatë kontrollit policor i janë gjetur dhe sekuestruar 269.3 gram narkotikë, që dyshohet të jetë marihuanë.
Me këtë sipas PSRK-së, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale: blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve – nga Neni 267 i Kodit Penal.
Sipas Kërkesës së Prokurorisë Speciale në të cilën pati qasje KALLXO.com, dyshimi i bazuar për këto vepra penale vërtetohet nga provat të cilat janë gjetur në banesën e të dyshuarit, Burim Dibranit.
Si i ra në gjurmë Policia Burim Dibranit, i dyshuar për terrorizëm?
KALLXO.com kishte mësuar nga burimet e saj se Stacioni Policor – Qendra në Prishtinë kishte pranuar fillimisht një informatë për një rast të dhunës në familje.
Më pas një njësi e reagimit ishte dërguar në vendin e ngjarjes në Bregun e Diellit. Ngjarja u trajtua menjëherë, ndërsa ekipi reagues i Policisë kishte kërkuar të hyjë brenda në banesë, për të vërtetuar informatën.
Me lejen e personit të dyshuar kanë hyrë brenda dhe kanë hasur në një sasi të lëndës narkotike, të dyshuar marihuanë, e vendosur në një tavolinë.
Më pas kanë kryer edhe një kontroll sipërfaqësore, gjatë së cilës kanë hasur në pajisje, municion dhe armë të tipit zolla. Menjëherë pasi u identifikuan këto armë, u thirr edhe Drejtoria e Anti-terrorit për të trajtuar rastin.
Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës Themelore të Prishtinës caktimin e masës për paraburgim ndaj të pandehurit Burim Dibrani, shtetas i Kosovës, i cili dyshohet për vepra terroriste.
Rruga se si arriti Policia deri te zollat dhe terrorizmi në Bregun e Diellit