Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Si u ndërtua punëtoria e armëve në Kodër të Trimave

Një dosje e Prokurorisë e përgatitur nga fundi i vitit 2018, deri në korrik 2019 e siguruar nga KALLXO.com zbulon se njëmbëdhjetë persona ishin angazhuar të transportonin, përpunonin, blinin e shisnin armë të cilat vinin nga Turqia në Kosovë.

Rrjeti i shitësve të armëve të cilët u arrestuan para dy ditësh përshkruhet nga prokurori Veton Shabani si një grup i mirorganizuar me detyra dhe aktivitete të veçanta.

Prokurori përshkruan rolin e Milaim Sh. si njëri nga njerëzit e rëndësishëm të grupit.

Milaimi sipas dosjes ishte angazhuar që të kontraktonte dhe sillte armët nga Maqedonia në Kosovë.

Nën mbikëqyrjen e Milaimit armët, kryesisht pistoleta me gas bliheshin nga një person në Maqedoni dhe kur ato silleshin në Kosovë u shiteshin katër personave në Kodër të Trimave në Prishtinë.

Dosja e Prokurorisë përshkruan se Përparim F., Mentor F., Arben F., dhe Albert F. kishin ndërtuar një punëtori të armëve në Prishtinë dhe armët me gas i kthenin në armë zjarri.

Pas përpunimit, armët të cilat ishin gjurmuar nga policia janë shitur tek personat e tjerë të cilët merreshin me rishitjen e tyre.

Këtë detyrë sipas dosjes së Prokurorisë e kishin kryer Ragip M., Nuhi M., Petrit M., dhe Isa R.

Armët ilegale të importuara nga grupi sipas dosjes janë shitur nga 150 deri në 1200 euro.

Prokuroria ka listuar edhe sasinë e armatimeve të konfiskuara tek secili i pandehur.

Në shtëpinë e të pandehurit Bajrush A. janë zbuluar gjashtë revole, 6 pushkë gjuetie, një pushkë M48, një pushkë ushtarake, një automatik AK47, 24 karikatorë, 7500 fishekë dhe disa aksesorë armësh.

Ndërsa te i pandehuri Ferat U. gjatë bastisjes dhe kontrollit janë gjetur 1 revole, 1 pushkë gjuetie, 1 pushkë ajrore, 1 pushkë snajper me dylbi, 1 armë artizanale, 1 pistoletë me dylbi , 1500 copë municione të kalibrave të ndryshëm dhe 7 thika të ndryshme.

Në tërësi gjatë tërë operacionit ‘Shënjestra’ janë konfiskuar 37 revole, 8 armë gjuetie, 3 armë AK-47, 2 armë gjysmë-automatike, 7 armë të gjata, 1 pushkë ajrore, 18 karikator, pjesë të ndryshme të armëve (tyta të revoleve). Janë sekuestruar edhe një sasi e madhe e fishekëve, rreth 9,000.00 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Poashtu, janë sekuestruar të holla rreth 10,000.00 € si dhe dy (2) vetura.