Dosja e Prokurorisë: Si u ndërtuan kazinotë e Mentor Maqanit e Deniz Hysenit në Karaçevë

Mentor Maqani dhe 72 persona të tjerë po akuzohen nga Prokuroria e Gjilanit për disa vepra penale.

Maqani sipas Prokurorisë në cilësinë e pronarit dyshohet se së bashku me Sherif Ilazin në cilësinë e menaxherit, nga muaji nëntor 2019 deri më 18 shtator 2020 në njërën nga objektet e vendosura në fshatin Karaçevë, kanë organizuar  lojërat e fatit të cilat janë të  ndaluara me ligj.

Sipas aktakuzës, gjatë urdhër-kontrollit nga zyrtarët policorë tek objekti ndër të tjera janë gjetur dhe sekuestruar 32 aparate të lojërave të fatit të llojeve të ndryshme pa numër serik, me çka të pandehurit me veprimet e veta, i kanë shkaktuar dëm material në shumë të papërcaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria akuzon Maqanin për vazhdimësi të kryerjes së veprës penale të organizimit të lojërave të fatit së bashku me Ilazin.

Tutje në aktakuzë përmendet edhe se çka është konsifkuar në kazinon pronar i të cilës ishte Maqani.

Sipas aktakuzës, janë konfiskuar dy DVR, një shtëpizë kompjuteri, një verifikues i parave, një arkë, tre aparate Kajot, tre aparate të tjera Vega Vision, 20 aparate Games Unlimited, tre aparate Apex, dy aparate Ultimate, një aparat ACT, një tjetër aparat Lucky Balls, një ruletë e cila është shkatërruar në vendin e ngjarjes dhe një shufër metale me shkrim “Police using”.

Maqani në deklarimin e tij kishte pranuar se kishte hapur kazinonë ndërsa kishte thënë se nuk e dinte se sa punëtorë kishte ndërsa kazinonë e menaxhonte Sherif Ilazi.

Tutje në deklarim ai kishte thënë se nga Sherif Ilazi kishte marrë të holla nga 5 mijë deri në 7 mijë euro në baza mujore.

Një tjetër i akuzuar në rastin e kazinove është edhe Deniz Hyseni.

Në deklaratën e tij të dhënë në Prokurorinë e Gjilanit ndër të tjera ka deklaruar se në zonën e Karaçevës ku luheshin lojërat e fatit, ka poseduar objekt dhe të njëjtin e ka ndërtuar gjatë muajit tetor të vitit 2019.

Ai ka treguar tutje se ka marrë pjesën e tokës me qira nga një mik i tij nga Serbia dhe më pas ka ndërtuar objektin për të zhvilluar tutje veprimtarinë e lojërave të fatit.

Barazimet sipas Hysenit janë bërë në baza ditore por ka shtuar se fitimi ka arritur deri në 15 mijë euro për 3 apo 4 muaj.

Aktakuzën për 73 persona në lidhje me rastin “Karaçeva” e ka ngritur prokurorja e Departamentit të Përgjithshëm në Gjilan, Rozelida Manastiri.

E njëjta aktakuzë është ngritur sot ndërsa të gjitha dëshmitë, të dhënat, veprimtaritë kriminale të personave janë përshkruar në 302 faqe.

Prokurorja Manastiri kishte rrëfyer në ‘Kallxo Përnime”  nisjen e rastit Karaçeva dhe zhvillimin e hetimeve.

Dosja e prokurores Manastiri e dërguar në Gjykatë përfshin të gjithë hetimin e ndërmarrë për më shumë se 14 muaj e cila më pas u finalizua me arrestimin e mbi 70 personave në tri raste të ndara.

Përveç pronarëve të kazinove, Manastiri ka përshkruar në detaje edhe rolin e zyrtarëve policor në kontrabandë e edhe qytetarëve të cilët përmes rrugëve ilegale nga Serbia në Kosovë kishin kontrabanduar mallra të ndryshme, si ushqim, gjedhe, drurë.

Përveç rastit të Karaçevës, Manastiri ka qenë prokurore edhe e rastit të aksidentit tragjik i cili ndodhi në qendër të Gjilanit, ku një kamion për shkak të problemeve teknike kishte shkaktuar viktima, të lënduar por edhe dëme materiale.

Ngritet aktakuza për rastin ‘Karaçeva’