Dosja e Prokurorisë: Si u kontrabanduan mbi 3 milionë euro naftë nga Serbia?

Tre burra të nacionalitetit serb po akuzohen se për tre vite kanë futur naftë nga Serbia  në Kosovë duke shmangur pagesën e tatimit.

Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon Millan Bozhoviçin,  Zhelko Milloshinaviçin dhe Dragomir Bozovic se i kanë shkaktuar dëm mbi 1 milionë euro Doganës së Kosovës nga shmangia e akcizës. Malli i futur në Kosovë sipas prokurorisë, kalon vlerën e 3 milionë eurove.

Të tre këta të akuzuar ishte paraparë të dalin sot para Gjykatës në Prishtinë mirëpo seanca për ta dështoi.

Arsyeja pse seanca nuk u mbajt ishte për shkak të mungesës së Faruk Korenicës, mbrojtës i Millan Bozhoviçit

Në Gjykatë sot u soll dëshmia se i akuzuari Dragomir Bozoviç ka vdekur.

Në anën tjetër u konstatua se i akuzuari Zhelko Milloshinaviç gjendet në Serbi dhe i njëjti ishte ftuar përmes Ministrisë së Drejtësisë por nga Serbia nuk ishte kthyer asgjë.

Pas kësaj i akuzuari Millan Bozhoviçi e njoftoi gjykatën se Zhelko ka qenë në dijeni për seancën e sotme por meqë e kanë ditur se nuk do të mbahet, nuk ka ardhur.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit nga muaji maj i vitit 2009 e deri në korrik të 2011-tës kanë kontrabanduar karburante nga Serbia në Kosovë përmes pikave kufitare Leposavic dhe Zubin Potok.

Kontrabandimi sipas prokurorisë është kryer  sepse në vitin 2009 zyrtarët e EULEX-it në pikat e lartëpërmendura doganore vetëm kanë regjistruar mallin e hyrë në Serbia ndërsa  zhdoganimi është dashur të kryhet në pjesën jugore të Mitrovicës.

Millan Bozhovic  akuzohet si pronar i kompanisë P.P ‘’MIN PROM’’ i regjsitruar në agjensionin e biznesit në Kosovë  e poashtu edhe si bashkëpronar i të njëjtës kompani të regjistruar në Serbi bashkë me Dragomir  Bozovic si pronar i kësaj kompanie të regjistruar në Serbi.

Ndërsa i akuzuari i tretë Zhelkjo Millashinoviç akuzohet si vozitës i mauneve për transportin e karburanteve të blera në Serbi.

Aktakuza thekson se derivatet e futura ilegalisht janë dërguar në pompat e benzinës që gjendeshin në veri duke u shitur më lirë se çmimi i tregut.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit nga Serbia në Kosovë kanë future ilegalisht mallra në vlerë prej 3 milionë e 35 mijë e 911 euro e 36 cent e më këtë Doganës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm duke i’u shmangur pagesës së akcizës në shumë prej 1 milion e 243 mijë e 248 euro e 59 cent.

Këtu përfshihet tatimi i TVSH-së në shumë prej 684 mije e 681 euro e 60 cent, tatimit të paragjykuar 3 për qind në vlerën e shitur në shumë prej 92 mijë e 700 euro dhe në emër të kontributeve pensionale në shumën rreth 31 mijë euro.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 27  janar në orën  10.