Pamje nga aksioni i Prokurorisë në Gjilan, si vazhdimësi e aksionit të Karaçevës, Foto: KALLXO.com

Dosja e prokurorisë, si u kontrabanduan lopët dhe u shit mishi nga kompanitë e Kosovës?

24 persona janë arrestuar në një operacion të gjerë dje, operacion ky që nisi që nga orët e hershme të mëngjesit dhe vazhdoi deri në orët e pasdites.

Ky operacion i cili u zhvillua dje në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Podujevë, Pejë, Suharekë dhe Viti, pati cak të dyshuarit për kontrabandë.

Në askionin e Prokurorisë së Gjilanit  janë sekuestruar sasi të konisderueshme të gjedhëve, armëve, artikujve të dëmshëm ushqimor, mjeteve që kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale si dhe prova të tjera.

Për çka po dyshohen 24 të arrestuarit

Në 20 faqe kërkesë për masën e sigurisë e cila është dërguar nga ana e Prokurorisë së Gjilanit në gjykatë, janë përshkruar saktësisht veprat penale të cilat po dyshohen se i kanë kryer 24 të arrestuarit gjatë operacionit të djeshëm.

15 nga 24 të arrestuarit, R. S., L.M., F.A., A.A., N.M., H. R., P.Sh., A. D., F. B., R. K., I.Th., R. A., A. Th., dhe F. N., po dyshohen se që nga muaji nëntor i vitit të kaluar (2019) e më tutje në mënyrë të vazhdueshme me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material, për vete apo për tjetër kënd kanë ndërmarrë veprime të rëndësishme për të kontrabanduar gjedhe të cilat i kanë bartur përmes rrugëve ilegale jashtë vijës kufitare duke shmangur kontrollin doganor, në këtë mënyrë të pandehurit kanë ndërmarrë veprime përgatitore me marrëveshje paraprake drejt kryerjes së veprës penale kontrabandim me mallra.

Njeri nga të dyshuarit, me inicialet J. H., po dyshohet për dy vepra penale, atë të blerjes dhe fshehjes së sendeve të përfituara duke kryer vepër penale si dhe për prodhim dhe vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.

I pandehuri dyshohet se nga muaji dhjetor i vitit 2019 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës të një biznesi me dashje apo qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për tjetër kënd ka blerë, pasurinë e cila është përfituar në mënyrë të kundërligjshme ashtu që me marrëveshje paraprake me të pandehurin tjetër A. Th., nga ky i fundit ka blerë gjedhe dhe pjesë të organeve të brendshme të gjedheve më saktësisht zorrë, për të cilat e ka ditur paraprakisht se janë të kontrabanduara dhe në këtë mënyrë J. H., po dyshohet se ka shkaktuar dëm në buxhetin e Kosovës si dhe dëm material në shumë të papërcaktuar. Me këto veprime i dyshuari ka kryer veprën penale të blerjes, pranimit ose fshehjes së sendeve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

I njëjti person po dyshohet edhe se që nga dhjetori i vitit 2019 në cilësinë e personit përgjegjës të një biznesi me qëllim të shitjes ka prodhuar artikuj ushqimor, prodhime mishi më saktësisht, pa u bërë kontroll të nevojshëm nga enti i autorizuar, ashtu që nga gjedhet dhe pjesë të organeve të brendshme të gjedheve më saktësisht zorrë të kontrabanduara përmes rrugëve ilegale të fshatit Karaçevë. Me këtë rast i dyshuari J. H., ka prodhuar dhe ka vënë në qarkullim produkte mishi pa kontrollat e nevojshme dhe sipas standardeve të kërkuara.

I pandehuri N. Sh. Në cilësinë e personit përgjegjës së një thertoreje, sipas kërkesës për paraburgim që ka siguruar KALLXO.com, thuhet se që nga muaji dhjetor 2019 e në vazhdimësi ka blerë gjedhe për të cilat e ka ditur paraprakisht se janë të kontrabanduara dhe se të njëjtat nuk kanë kryer kontrollat e nevojshme sic ka qenë e paraparë. Me këtë rast, i dyshuari sipas kërkesës për paraburgim dyshohet se ka kryer veprën penale të blerjes, fshehjes së sendeve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

I njëjti person po dyshohet edhe se si person përgjegjës i një thertoreje në Prizren, me qëllim të shitjes së artikujve ushqimor, më saktësisht shitjen e mishit pa u bërë kontroll të nevojshëm, ashtu që nga gjedhet e kontrabanduara në fshatin Karaçevë, i njëjti ato gjedhe të blera i kishte prodhuar si produkte ushqimore dhe të njëjtat i ka vënë në qarkullim, pra mishin e kontrabanduar pa kontrolla të nevojshme sipas standardeve.

I dyshuari tjetër, Sh. K.,, po dyshohet se prej muajit dhjetor 2019 dhe në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës i një biznesi në Suharekë, me dashje dhe me qëllim kishte kryer veprën penale të blerjes, pranimit apo fshehjes së sendeve të përfituara duke kryer vepër penale.

I njëjti kishte ditur se gjedhet e ardhura nga fshati Karaçevë, janë të kontrabanduara dhe i njëjti me këtë rast i ka shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës si dhe dëm material në shumë të papërcaktuar.

I njëjti po dyshohet edhe për një vepër penale atë të vënies në prodhim, apo vënie në qarkullim të artikujve të dëmshëm, në këtë rast, i njëjti me qëllim të shitjes ka prodhuar artikuj ushqimor, më saktësisht prodhime mishi pa u bërë kontrolla të nevojshme. Këto prodhime mishi Sh. K., dyshohet se i kishte vënë në shitje ani pse e ka ditur se të njëjtat janë nga gjedhe të kontrabanduara.

I pandehuri tjetër, K. M., në cilësinë e pronarit të një mishtoreje në Prizren, po dyshohet se me qëllim të shitjes së artikujve ushqimor, më saktësisht shitjen e mishit pa u bërë kontroll të nevojshëm, ashtu që nga gjedhet e kontrabanduara nga fshati Karaçevë, i njëjti ato gjedhe të blera i kishte prodhuar si produkte ushqimore dhe të njëjtat i ka vënë në qarkullim, pra mishin e kontrabanduar pa kontrolla të nevojshme sipas standardeve.

Me këtë rast, K. M., po dyshohet se ka kryer veprën penale të blerjes, pranimit apo fshehjes së sendeve të përfituara duke kryer vepër penale.

I njëjti po dyshohet edhe se me qëllim të shitjes ka prodhuar artikuj ushqimor, më saktësisht prodhime mishi pa u bërë kontrolla të nevojshme. Këto prodhime mishi K.M., dyshohet se i kishte vënë në shitje ani pse e ka ditur se të njëjtat janë nga gjedhe të kontrabanduara.

Një i pandehur tjetër është edhe U. K., person përgjegjës në një biznes në Prizren, po dyshohet se prej muajit dhjetor 2019 dhe në vazhdimësi, në cilësinë e personit përgjegjës i një biznesi në Prizren, me dashje dhe me qëllim kishte kryer veprën penale të blerjes, pranimit apo fshehjes së sendeve të përfituara duke kryer vepër penale.

I njëjti, në cilësinë e personit përgjegjës të një biznesi në Prizren, po dyshohet se me qëllim të shitjes së artikujve ushqimor, më saktësisht shitjen e mishit pa u bërë kontroll të nevojshëm, ashtu që nga gjedhet e kontrabanduara nga fshati Karaçevë, i njëjti ato gjedhe të blera i kishte prodhuar si produkte ushqimore dhe të njëjtat i ka vënë në qarkullim, pra mishin e kontrabanduar pa kontrolla të nevojshme sipas standardeve.

Të njëjtat vepra penale janë ngarkuar edhe ndaj të pandehurit B.Rr., person përgjegjës i një biznesi në Prizren,  A.H., person përgjegjës në nj biznes në fshatin Reçan të Komunës së Prizrenit, H.M., person përgjegjës i nje thertoreje në Prizren dhe J.B., person përgjegjës i një biznesi të mishit në Pejë.

Edhe për këta të fundit ekziston dyshimi se të njëjtit, me dijeni kanë blerë gjedhe të kontrabanduara dhe të njëjtat pa kontrolla sipas standardeve kanë bërë prodhimin e mishit dhe të njëjtin prodhim e kanë vënë në qarkullim për qytetarët e Kosovës.

Në kërkesën për paraburgim të cilën e ka siguruar KALLXO.cojm, jepen detajet e arrestimit edhe për një person I.K., i dyshuar për organizim të lojërave të fatit.

Kërkesa tregon se i njëjti nga muaji shtator i vitit 2019 e deri më 18 shtator të vitit 2020 në lokalin Automate Club në fshatin Karaçevë, e cila ndodhej në zonën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër dhe në kundërshtim me ligjin ka organizuar në vazhdimësi lojëra të fatit.

Pas përshkrimit të veprave penale në kërkesën për paraburgim, prokurorja e rastit Rozelida Manastiri ka kërkuar nga ana e Gjykatës së Gjilanit që të vendos masën e paraburgimit për 30 ditë për të dyshuarit.

Operacioni në Karaçevë

Pas një hetimi të gjatë për rreth një vit, Prokuroria Themelore e Gjilanit në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, Policinë e Kosovës dhe disa agjenci të tjera kanë kryer një bastisje dhe rrënime në fshatin Karaçevë me datë 18 shtator të këtij viti.

Dyshimet ishin se në këtë fshat, po zhvillohej organizimi i lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme si dhe kontrabandimi me kafshë.

Nga i gjithë aksioni u arrestuan 37 persona nga ta 12 zyrtar policor të cilët në mënyra të ndryshme, kishin mundësuar qytetarët që përmes rrugëve ilegale të në fshatin Karaçevë, të kontrabandonin kafshë.

Njëri nga zyrtarët policor, po dyshohej edhe për kontrabandim të mallrave e edhe për organizim të lojërave të fatit. Madje në kërkesën për paraburgim të prokurores Rozelida Manastiri thuhet se zyrtari policor, F. L., kishte në pronësi njërën nga objektet e cila funksiononte si kazino.

Nga 37 të arrestuar në aksionin e 18 shtatorit, 30 u dërguan në paraburgim ndërsa të tjerët u liruan në procedurë të rregullt.

Aksioni nuk u ndal aty. Gjatë ditës së djeshme vazhdimi i të njëjtit aksion u zhvillua në disa lokacione në Kosovë ku pati arrestime e konfiskim të produkteve të mishit të cilat po dyshohen se janë nga kafshët e kontrabanduara përmes rrugëve ilegale nga Serbia përmes fshatit Karaçevë e në mishtoret, thertoret dhe kompanitë e mishit në Gjilan, Prizren, Suharekë, Pejë, Gjakovë, Viti.