Ilustrim

Dosja e Prokurorisë - Si jepeshin fajde me 20% kamatë në Pejë

Një person në Pejë po akuzohet për fajde. Sipas Prokurorisë së Pejës, i pandehuri K. B., për shtatë muaj me radhë gjatë vitit të kaluar u ka dhënë para me fajde pesë personave.

“I pandehuri K. B., nga muaji shkurt e gjerë në muajin shtator të vitit 2019, u ka dhënë pesë (5) personave shuma të ndryshme të parave me fajde, me kamata mujore nga 10 deri në 20%, derisa njëri nga të dëmtuarit nuk kishte mundësi t’ia paguante të pandehurit shumën prej tridhjetegjashtë (36.000) mijë eurove, sipas kamatës prej 20%, e pas presionit të vazhdueshëm nga i pandehuri për realizimin e pagesës, i dëmtuari raporton rastin në organet e hetuesisë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri  ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë”, thuhet tutje në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.