Hysri Peqani - 'Burdushi'

Dosja e Prokurorisë: Si i kamufloi fitimet Burdushi gjatë deponimit të parave në bankë?

Hysri Peqani i njohur si Burdushi u dënua sot nga Gjykata e Prishtinës, me dënim unik prej 4 vjet e gjashtë muaj burg dhe 42 mijë euro gjobë.

Prokuroria Speciale të njëjtin e akuzon për veprat penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore, mashtrim, armëmbajtje pa leje dhe shpëlarje të parasë.

Gjykata e dënoi Burdushin edhe për akuzat për veprën e shpëlarjes së parasë, me burgim në kohëzgjatje prej 3 viteve dhe 25 mijë euro gjobë.

Gjykata e shpalli fajtorë për këtë vepër meqë sipas gjykatës, Burdushi ka qenë në dijeni se pasurinë e ka fituar prej kryerjes së veprës penale ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë.

Sipas gjykatës, ai përsëri me qëllim të maskimit apo fshehjes së burimit të parave, prej vitit 2005 paratë e fituara i kishte futur në sistemin bankar, duke i deponuar të hollat e gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive.

Sipas Gjykatës, Burdushi ka fshehur origjinën e parave edhe i ka kthyer këto të holla në pasuri të paluajtshme.

Pasuri të cilat Gjykata sot me vendim ia konfiskoi.

Sipas vendimit të shpallur, Burdushi duke kryer veprimtarinë e tij ka arritur të hyra të kundërligjshme e cila arrin vlerën e mbi 2.5 milionë eurove.

‘Burdushi’ akuzohet se që nga viti 2005 kur ka regjistruar biznesin e tij e deri më 26 korrik të vitit 2019, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike dhe ndihmon në zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.

Prokuroria e akuzon “Burdushin” se të dëmtuarve u ka kryer trajtime të improvizuara, të kota, duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t`i paguajnë shuma të ndryshme të parave.

Tutje sipas Prokurorisë Speciale “Burdushi” që nga viti 2006 ka kryer shpëlarje të parasë, ashtu që duke e ditur që pasuria e tij buron nga aktiviteti kriminal dhe është fituar duke kryer vepra penale.

Duke filluar nga viti 2006 paratë e tilla i ka futur në sistem bankar përmes deponimit të të hollave të gatshme, kryesisht me arsyetimin se ashtu i paguan këstet e kredive, e pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës së tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Andaj si pasojë e këtyre veprimeve Prokuroria i ka sekuestruar ‘Burdushit’ edhe një pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme.

Ky rast nga Prokuroria Speciale është i shënjestruar si dhe i koduar “mashtrimi”.

Pos këtij rasti, “Burdushit” në Gjykatën e Prizrenit i është vjetërsuar një rast i mëhershëm për vepër penale të mashtrimit.