Dosja e Prokurorisë shpjegon se si polici në Istog dyshohet se ia drejtoi në kokë viktimës armën

Një zyrtar policor me inicialet F. H. është suspenduar nga puna pasi po dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” e mbetur në tentativë.

KALLXO.com ka siguruar Dosjen e Prokurorisë e cila shpjegon se si ka ndodhur e gjithë ngjarja.

Rasti ka ndodhur më datë 15.07.2024 në 23:35h, dhe polici tashmë i suspenduar, ka shkrepur armën e cila e ka goditur në kokë viktimës, familjarin e tij të mitur 16-vjeçar.

Dosja e Prokurorisë përmban edhe procesverbalin e një prej dëshmitarëve të rastit, i cili po ashtu është i mitur.

“Unë e pashë armën e F. (i dyshuari) që e ka të punës duke e mbajt në dorë të G. (dëshmitar). Unë sa e kom pa G. (dëshmitar) asnjëherë nuk e ka raportirat, por e ka nxjerrë karikatorin dhe ka fillu m`i hek plumbat prej tij, plumbat G. (dëshmitar) i gjuajke në kauq, më duke se i ka hjek të gjithë plumbat prej karikatorit, pas kësaj e ka marr F. (i dyshuari) armën e ka raportirat dhe e ka drejtu në drejtim të kokës së G. (viktima) dhe kam dëgjuar që ka kërsit arma, unë nuk e kam dëgjuar asnjë fjalë që ka thënë F. (i dyshuari)” – ka qenë deklarata e njërit nga personat që ka qenë në vendin e ngjarjes.

I njëjti po ashtu ka shtuar se distanca në mes viktimës dhe të dyshuarit ka qenë deri në dy metra.

Dosja ka treguar se polici në fjalë është i gjeneratës së fundit të Policisë së Kosovës, e se madje ngjarja ka ndodhur gjatë gjithë kohës sa i njëjti ka qenë në uniformë zyrtare duke u bërë gati për të filluar orarin e punës.