Dosja e Prokurorisë shpjegon rrethanat e vrasjes së gruas nga burri i saj në Kamenicë

Nuhi Mavrovqani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për vrasjen e gruas së tij, Sabile Mavrovqani.

KALLXO.com ka mësuar se aktakuza është dërguar në Gjykatën Themelore të Gjilanit gjatë ditës së sotme nga ana e prokurorit të rastit Arben Ismajli.

KALLXO.com ka siguruar edhe aktakuzën në të cilën prokurori i rastit ka shtjelluar gjithë ngjarjen ndërsa ka kërkuar që i njëjti të dënohet për veprën që ka kryer mesditën e 25 korrikut në fshatin Berivojcë të Komunës së Kamenicës.

Çka thotë aktakuza:

Më 25 korrik të këtij viti rreth orës 12, në shtëpinë e përbashkët të Nuhiut dhe Sabile Mavrovqanit në fshatin Berivojcë ë Komunës së Kamenicës fillon një mosmarrëveshje familjare mes çiftit.

Nuhiu, siç ka përshkruar edhe prokurori Ismajli, me dashje ka vrarë gruan e tij Sabilen me një shufër metalike të një gjatësie rreth 73 centimetra dhe e një trashësie 2.2 centimetra.

Aktakuza thotë se e gjitha kishte filluar pas një fjalosjeje, e cila më pas përfundoi derisa Nuhi Mavrovqani fillon e godet gruan e tij të ndjerë Sabilen fillimisht në parakrahun e dorës së majtë dhe njëherë në anën e majtë të kokës e cila më pas është rrëzuar në tokë.

Sipas aktakuzës, Nuhi Mavrovqani edhe pasi që gruaja e tij kishte rënë në tokë pas dy goditjeve të para, kishte vazhduar ta godiste me shufër metalike në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit duke i shkaktuar plagë të rënda në anën e majtë të kafkës dhe në pjesët e tjera të trupit, e cila nuk kishte arritur t’i mbijetonte atyre plagëve.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Arben Ismajli ka intervistuar edhe të pandehurin edhe një përfaqësues të familjes së ish- gruas së tij si dhe dy dëshmitarë të tjerë.

Në ngritjen e aktakuzës, prokurori është bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, deklaratën e familjarit të së ndjerës Sabile Mavrovqanit si dhe raportet e zyrtarëve policor, raportit të vendit të ngjarjes kur kishte ndodhur vrasja, raportin mjekësor të QKMF-së në Kamenicë të po së njëjtës ditë si dhe raportin e autopsisë.

Dëshmia e Nuhi Mavrovqanit:

Tani i akuzuari Nuhi Mavrovqani disa ditë më parë kishte deklaruar para prokurorit të rastit se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja .

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com del se Nuhi Mavrovqani edhe para 2- 3 vitesh kishte të iniciuar një rast për rrahje ndaj bashkëshortes së tij. Rrahjen atë kohë e kishte kryer me bisht të shatit ndërsa i kishte shkaktuar Sabile Mavrovqanit lëndime të lehta trupore.

“Ditën kritike ishte zgjuar herët për të shkuar në punë dhe për shkak se vajzat e tij ishin ankuar se nëna Sabilja po i rrahte dhe për këtë arsye ai nuk kishte shkuar në punë dhe kishte dalë në oborr për të rrafshuar dheun dhe rreth orës 10:00 kishte hyrë brenda në shtëpi ku i kishte ndërruar fëmijët dhe ishte përgatitur ushqim për ngrënje dhe fëmijët i kishte vënë në gjumë. Pas pak kohe kishte kërkuar nga e ndjera Sabilja nëse e ka përgatitur ushqimin dhe në ato momente kishte filluar mosmarrëveshja ndërmjet tyre ku e kishte goditur me grusht në kokë dhe kishte dalë jashtë në oborr e kishte marrë një gyp të hekurit dhe me të njëjtën e kishte goditur në kokë tani të ndjerën duke e rrëzuar në tokë dhe nuk i kujtohet se ku dhe sa herë e ka goditur tani të ndjerën të cilën e kishte gjakosur dhe nuk i kishte ofruar ndihmë e pastaj kishte marrë fëmijët e i kishte nxjerrë nga shtëpia dhe e kishte thirrur vëllain e tij për t’i marrë fëmijët“, ishte përshkrimi që kishte bërë Nuhi Mavrovqani para prokurorit Ismjali duke rrëfyer se si kishte filluar e gjitha.

Prokurori Ismajli ka theksuar se fillimisht kur është intervistuar Nuhi Mavrovqani në polici pas kryerjes së vrasjes kishte thënë se kur e ka marrë gypin e hekurit e kishte paralajmëruar ish- gruan e tij tani të ndjerë, Sabilen, që të mos i afrohej se do ta mbyste.

Në prokurori ka dëshmuar edhe vëllai i Nuhiut i cili kishte thënë se ka qenë duke punuar në mal dhe se ka marrë një telefonatë nga vëllai ndërsa ai i kishte telefonuar një vëllait tjetër që të shkonte në shtëpinë e Nuhi Mavrovqanit.

Edhe vëllai tjetër i Nuhi Mavrovqanit, R. Mavrovqani kishte deklaruar se i vëllai ka qenë i martuar për pesë vite me Sabilen dhe nuk kanë pasur mosmarrëveshje mes vete deri në ditën kritike kur kishte marrë telefonatë nga vëllai për të marrë fëmijët për shkak se siç kishte thënë Nuhiu “Sabilja ka vdekur”.

Vëllai i të ndjerës Sabile Mavrovqanit kishte deklaruar në prokurori se kishte njohuri se e mota kishte pasur mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj Nuhiun.

E gjithë skena ishte zhvilluar në dhomën e ndejës në shtëpinë e Niuhi e Sabile Mavrovqanit.

KALLXO.com ka raportuar edhe në ditën kritike në lidhje me ngjarjen tragjike.

Vritet një grua në Kamenicë, i dyshuar burri i saj