Ilustrim - Aksident - Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë së Prizrenit: Si ndodhi aksidenti që përfundoi me të vdekur e të lënduar në hyrje të autostradës?

Gjykata e Prizrenit, dega në Suharekë, ka njoftuar se ndaj dy të dyshuarve Z.B. dhe S.D. ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

Sipas Prokurorisë, Z.B. dyshohet se ka kryer veprën penale – ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur kurse S.D. dyshohet se ka kryer veprën penale – rrezikimi i trafikut i cili ka përfunduar me fatalitet.

Sipas komunikatës, i pandehuri Z.B. më 2 tetor rreth orës 21:15, në autostradën “Ibrahim Rugova”, në hyrje të fshatit Duhël, duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin “A”, godet pjesën e pasme të anës së djathtë të automjetit “B” ku nga forca e goditjes drejtuesi A.B. humb drejtimin. Me këtë veprim, kanë mbetur të lënduar 4 pasagjerët që gjendeshin në makinën “A”.

Tutje sipas Prokurorisë, i pandehuri S.D. duke drejtuar makinën e tij në po të njëjtin vend, për t’i ikur aksidentit kalon në shiritin e majtë mirëpo godet automjetin “A”, pasagjeren e automjetit “A” dhe drejtuesin e automjetit “B”, të cilët në ato momente ishin duke i ofruar ndihmë drejtuesit Z.B., me ç’rast nga goditja me automjet dhe nga lëndimet e marra vdes pasagjerja K.B.

Ekipi mjekësor i ndihmës së shpejtë nga Suhareka kishin konstatuar vdekjen e të ndjerës K.B., ndërsa drejtuesi i automjetit “B”, i dëmtuari A.B., kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Masa e paraburgimit ndaj dy të pandehurve do të llogaritet nga data 2 tetor 2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 2 nëntor 2021.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se dy të pandehurit janë shtetas të huaj dhe nuk kanë vendqëndrim në Kosovë, andaj me lënien në liri të njëjtin mund të jenë të pakapshëm për organet e ndjekjes, në këtë mënyrë mund të pengojnë rrjedhën e hetimeve dhe të procedurës, e gjatë kësaj faze duhet të merren një mori provash si dëgjimi i dëshmitarëve, të pandehurve por edhe të merren ekspertiza për shkallën dhe natyrën e lëndimeve dhe ekspertiza e komunikacionit dhe prova të tjera.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, por ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.