(Arkiv) - Foto: KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë së Prizrenit: I dyshuari e varrosi kufomën në varrin e një të vdekure tjetër

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj një zyrtari të kompanisë regjionale të mbeturinave ‘’Eko Regjioni”,  i cili po dyshohet se ka hapur varrin e një të vdekuri për ta varrosur në të dikë tjetër.

Sipas dosjes ngjarja ka ndodhur më 28 dhjetor 2021.

B.K. dyshohet se pas një marrëveshjeje për t’ia siguruar hapësirën e varrit një personi nga i dëmtuari merr shumën 150 euro.

“B.K. me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkon përfitim material për vete në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që të dëmtuarit N.B., nga Prizreni i kërkon shumën e parave prej 150 € me kusht që t’ia sigurojë hapësirën për varrimin e bashkëshortes së tij të ndjerë”, thuhet në dosje.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari më pas ka gërmuar, mihur e përdhosur varrin e të ndjerës Sh.T., në mënyrë që ta varrosë kufomën e të ndjerës H.B.

“B.K. pa autorizim gërmon, mih, rrënon, heq, dëmton, shkatërron ose përdhos varrin e së ndjerës Sh.T., e cila ka ndërruar jetë në vitin 2001, në atë mënyrë që në hapësirën e varrit të së ndjerës në fjalë, varros kufomën e së ndjerës tjetër H.B”, thuhet në akuzë.

Me këto veprime i pandehuri B.K. ka përmbushur elementet e veprave penale – marrje e ryshfetit dhe dëmtimi i varreve apo kufomave.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri i për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.