Dosja e Prokurorisë: Punëtori i pompës së derivateve u konfrontua me grabitësit e armatosur

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.S. dhe F.H., të cilët dyshohen se kanë kryer veprën – grabitje e mbetur në tentativë.

Sipas Prokurorisë, më 20 shtator, në Prizren, në një pompë të derivateve, të pandehurit në bashkëkryerje përmes armës, përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze me të arritur në oborrin e pompën e derivateve A.S., shkon në drejtim të të dëmtuarit dhe i drejtohet me fjalët “Ku janë paratë?” dhe “Bjeri paratë!”, kurse në atë moment i dëmtuari i kundërvihet të pandehurit A.S., së pari duke e shtyrë e më pas duke e goditur dorën e tij me të cilën ishte duke e mbajtur armën, ku një pjesë kësaj arme lodër bie në dysheme.

Tutje sipas njoftimit të Gjykatës pas kësaj dy të pandehurit largohen nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Masa e paraburgimit ndaj 2 të dyshuarve do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 20 shtator 2021 dhe mund të zgjasë deri më 20 tetor 2021.

Me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh faktin se procedura është në fazën fillestare dhe nëse të pandehurit lihen në liri mund të fshihen apo të largohen në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, si dhe ekziston rreziku se po që se të njëjtit do të liheshin në liri, ata mund të përsërisin veprën penale ose të përfundojnë veprën e tentuar.