Dosja e Prokurorisë: Personi i licencuar për hartimin e raportit të VNM-së, pranoi ryshfet

Një hetim disa mujor i Prokurorisë Themelore në Ferizaj – Departamentit për Krime të Rëna rezultoi me ndalimin edhe të katër personave të tjerë të enjten në rastin e njohur si “Brezovica”.

Dosja zbardh detaje dhe dyshime se si ishte marrë e dhënë ryshfet për t`u pajisur me raportimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për ndërtimet në zonën e mbrojtur të Brezovicës.

Siç pretendon Prokuroria, veprat penale të korrupsionit dyshohet të kenë ndodhur brenda tre viteve, 2016-2019.

Njëri nga të dyshuarit, i cili, siç përshkruhet në kërkesën për masën e paraburgimit, është Islam Fejza, me profesion Profesor në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë. Fejza dyshohet se ka pranuar ryshfet dhe ka ushtuar ndikim tek një komision që harton raportet e VNM-ve.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej viti 2016 deri në vitin 2019, si person përgjegjës i NSH “Geo-Miningu” me seli në Prishtinë, i licencuar për hartimin e raportit për VNM-në, ka pranuar dhuratë me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrje e personave zyrtar – Komisionit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në kërkesën për masën e paraburgimit të siguruar nga KALLXO.com.

“Në atë mënyrë që ka kërkuar dhe pranuar 500 euro dhuratë nga i pandehuri R. H. për të hartuar raportin për vlerësimin e Ndikimit në Mjedis për kompleksin prej 20 vikend-shtëpizave si dhe objektin hotelier “Rimida”, për të cilat i pandehuri R. Ka paguar nga 6 mijë euro për të dyja raportet”, thuhet tutje në shkresat e prokurorisë.

Ndërtimet në zonën e mbrojtur ishin në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërtimin, Ligjin mbi Ujërat e Kosovës dhe Ligjin për Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Të enjten, Prokuroria e Ferizajt arrestoi katër persona, duke përfshirë edhe ish-Sekretarin e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi.

Doja e Prokurorisë: Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës mori ryshfet 8 mijë euro

www.kallxo.com