Prapa grilave - Ilustrim

Dosja e Prokurorisë për prodhuesit e drogës në regjionin e Dukagjinit

Gjashtë persona janë vendosur prapa grilave në bazë të dyshimeve të prokurorisë, se ata janë prodhues droge.

Gjykata në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj  H.S., R.XH., M.H., S.J., M.N. dhe H.J. në kohëzgjatje prej 1 muaj.

Sipas vendimit të gjykatës, të pandehurit dyshohen se kanë kultivuar bimën kanabisit, dhe shkurren e kokainës.

Të pandehurit dyshohen se gjithashtu kanë importuar, eksportuar, transportuar në mënyrë të pa autorizuar armë.

Dosja e prokurorisë pretendon se të pandehurit veprat që jua vë në barrë i kanë kryer në vazhdimësi dhe në bashkëveprim edhe me persona të tjerë që momentalisht janë nën hetime.

Sipas dosjes së prokurorisë, 6 të dyshuarit janë kapur si rezultat i masave të fshehta të vëzhgimit dhe hetimit.

Prokuroria ka kërkuar paraburgimin ndaj 6 të dyshuarve. Sipas Prokurorisë së Pejës, paraburgimi duhet caktuar pasi në hetimet që po i zhvillon prokuroria, duhet dëgjuar të pandehurit, andaj duhet shmangur rreziku që ata të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe të bashkërendojnë bisedat e tyre.

Po ashtu, rreziku i përsëritjes së veprës është shkak tjetër që prokuroria po kërkon paraburgimin.

Policia më datë 7 shtator të këtij viti ka organizuar një aksion në rajonin e Dukagjinit.

Nga ky aksion janë sekuestruar 7 armë, dy Ak47 dhe pesë revole, rreth 70 fishekë kalibër të ndryshëm, 92 bimë kanabis, saktë marihuanë me lartësi 1- 1.5 m, mbi 25 gramë kokainë, 5 mijë e 500 euro para të gatshme, 6 telefona si dhe dokumente.

Nga dosja e prokurorisë së Pejës që është siguruar nga KALLXO.com thuhet se 6 të dyshuarit janë përfshirë në aktivitete kriminale lidhur me armë dhe në kultivim të kanabisit.