Dosja e Prokurorisë për pesë kamarierët që prodhuan dhe u kthenin klientëve për kusurë para false

Prokuroria në Prizren ka kërkuar paraburgim për pesë kamerierët me inicialet B. B., T. P., V. Z., L. E., dhe A. P., pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale falsifikim i parasë.

Prokuroria ka njoftuar se gjatë muajit tetor, deri në fillim të muajit nëntor 2021, i pandehuri B. B., me dashje posedon para të falsifikuara me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta.

Tutje sipas Prokurorisë, i pandehuri B. B., ia i shet të pandehurit T. P., 1,250 euro të gjitha në monedha metalike nga 2 euro me ç’rast i pandehuri T. P., pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900 € duke i paguar në mënyra periodike.

Sipas komunikatës, herën e parë për 300 euro false paguan 200 euro origjinale, për herën e dytë për 400 euro false paguan 300 euro origjinale, derisa në herën e tretë për  550 euro false paguan 400 euro origjinale, në total i pandehuri B. B., arrin t’i shes 1,250 euro.

Në këtë mënyrë B. B., sipas prokurorisë ka kryer veprën penale falsifikimi i parasë.

Ndërsa, të pandehurit T. P., V. Z., L. E.,  dhe A. P., gjatë periudhës së muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në cilësinë e kamerierëve në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, i vë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm të cilët kanë vizituar lokalin në fjalë.

“Secili prej të pandehurve si shpërblim kanë ndarë nga njëzet e pesë euro origjinale në pjesë të barabarta, me ç’rast Policia e Kosovës pas zbatimit të urdhër-kontrollit arrijnë t’i gjejnë 195 monedha metalike nga dy euro në veturën ‘’VW Polo’’, në pronësi të të pandehurit T. P., dhe një shumë tjetër të konsiderueshme parash të falsifikuara nga dy euro nëpër kuletat e pazarit ditor të të pandehurve, me ç’rast në total, policia arrin të sekuestrojë nga të pandehurit 390 euro  false”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këtë, të pandehurit T. P., V. Z., L. E., dhe A. P., në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale falsifikimi i parasë.

Të pandehurit me vendim të prokurorit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh dhe për të njëjtit prokuroria në Prizren do të vazhdoj me veprime të tjera hetimore.