Foto-ilustrim

Dosja e Prokurorisë për mashtrime me subvencione, si përfituan familjarët e zyrtares së Komunës së Prishtinës?

Në Gjykatën e Prishtinës ka dështuar sot të mbahet seanca gjyqësore ndaj ish-zyrtares së Komunës së Prishtinës, Zoja Krasniqi, e cila po akuzohet për mashtrim me subvencione, duke u mundësuar familjarëve të saj (Albulena Rama – Gashi, Dafina Çela, Arjeta Koraqi, Armend Gashi dhe Valon Bllacaku – edhe këta të akuzuar) të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e dëmit që i është shkaktuar buxhetit të Komunës së Prishtinës nga këta të pandehur është rreth 25 mijë euro.

Koha kur kanë ndodhur veprat penale është periudha kohore 2011 – 2014.

Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, të siguruar nga KALLXO.com, Zoja Krasniqi, e cila në periudhën kohore kritike mbante pozitën e zyrtares në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, akuzohet se ka vepruar në kundërshtim me autoritetin e saj zyrtar.

Ajo dyshohet se që nga viti 2010 e deri në viti 2014 ka përpiluar dosje fiktive përmes të cilave u ka mundësuar familjarëve të saj – Arben dhe Armend Gashi, Albulena Rama dhe Valon Bllacaku të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme përmes subvencioneve në kuadër të Komunës së Prishtinës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, përmes këtyre veprimeve familjarët e saj kanë përfituar rreth 25 mijë euro nga këto subvencione të ndara për projekte të ndryshme, e të cilat nuk u realizuan asnjëherë.

Lidhur me këto veprime, mbi Krasniqin rëndojnë akuza për – keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Tutje, e akuzuara Albulena Rama – Gashi në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me projekte fiktive në emër të Shpresa Krasniqit, duke shfrytëzuar pozitën e kunatës së saj – Zoja Krasniqit.

Përmes këtyre veprimeve, Rama – Gashi dyshohet të ketë fituar shumën 10,150 euro me ç’rast Prokuroria e ka ngarkuar me akuzën se ka kryer veprën penale – mashtrim me subvencione.

Projektet fiktive të së njëjtës i ka shfrytëzuar e akuzuara Dafina Çela, e cila ka aplikuar në projektet “Suksesi varet nga përpjekjet” dhe ‘’Rinia e jonë” me ç’rast akuzohet se përmes veprës penale – mashtrimi në subvencione ka përfituar shumën prej 1,115 euro.

Sipas Prokurorisë, e akuzuara Rama-Gashi me të akuzuarën Arjeta Koraqi, në bashkëkryerje kanë aplikuar për subvencione me projektin fiktiv “Roli dhe rëndësia e te rinjve në procesin e Integrimit Evropian” me ç’rast dyshohet të ketë pasur përfitim prej 800 eurosh.

Ndërsa i akuzuari Armend Gashi dyshohet se në vazhdimësi ka aplikuar për subvencione me një mal projektesh fiktive, duke shfrytëzuar pozitën e motrës së saj – të akuzuarës Zoja Krasniqit.

Përmes këtyre projekteve, Gashi dyshohet të ketë përfituar mbi 10 mijë euro.

Kurse me dy projekte fiktive kishte aplikuar i akuzuari Valon Bllacaku, i cili duke shfrytëzuar pozitën e motrës së dhëndrit të tij – të akuzuarës Krasniqi, dyshohet të ketë përfituar shumën mbi 2 mijë euro.

Si rrjedhojë e të gjitha veprimeve të lartcekura, Komuna e Prishtinës si palë e dëmtuar dyshohet të ketë pësuar dëm material rreth 25 mijë euro.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ishte paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Prishtinës.

Megjithatë, seanca dështoi që të mbahej për arsye se prokurorja speciale e angazhuar në këtë rast, Merita Lumezi, nuk u paraqit në sallën e gjykimit.

Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë për këto akuza që Prokuroria i vie në barrë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 31 korrik.