Konferenca e AAK-së

Dosja e prokurorisë për keqpërdorim të votave, nga kush u premtuan paratë për rritjen e votave ish ministres Haradinaj - Stublla

Dardan Stublla bashkëshort i ish ministres së punëve të jashtme Meliza Haradinaj – Stublla, është përmendur në dosjen e prokurorisë ku dy persona po dyshohen se kishin shtuar votat për gruan e tij.

Në këtë dosje thuhet se rritja e votave për ish ministren Haradinaj – Stublla kishte ndodhur në këmbim të parave të cilat ishin premtuar nga bashkëshorti i saj Dardan Stublla.

Sipas dosjes që e ka siguruar KALLXO.com, dy personat që dyshohen t’i kenë rritur votat e ish ministres janë Arbër Krasniqi dhe Sahit Mataj.

Ata si punonjës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) dyshohen se në këmbim të një shume të parave prej 600 deri në 6 mijë eurove, kishin rritur votat e kandidates Meliza Haradinaj – Stublla, njëkohësisht duke ua hequr votat kandidatëve të tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Dardan Stublla nuk ka dashur t’i komentojë këto dyshime të prokurorisë duke thënë se për këto duhet të pyetet prokuroria.

“Folni me prokurorinë, unë skam punë me gazetar, nuk kam mendim”, tha shkurt Stublla.

Në dosjen të cilën e ka siguruar KALLXO.com thuhet se dyshimet e prokurorisë bazohen në raportin e policisë, deklaratat e dëshmitarëve dhe në deklaratat e të dyshuarve.

Për këtë rast deri me tani janë arrestuar dhe po qëndrojnë në paraburgim Arbër Krasniqi dhe Sahit Mataj.

Ata ishin arrestuar me 9 mars të këtij viti nën dyshimet për keqpërdorim dhe dhënia apo marrje ryshfeti.

Meliza Haradinaj – Stublla kishte arritur që të siguronte votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete në Kuvendin e Kosovës, mirëpo ankesa të shumta të cilat ishin dërguar në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, kishin bërë që votat e diasporës dhe ato me kusht të ri numëroheshin.

Rinumërimi kishte vënë në pah krejt diçka tjetër, në vend të saj deputete në Kuvendin e Kosovë u zgjodh Albana Bytyçi.

 

Vjedhje e votave e marrje ryshfetit, arrestohen dy persona