Dosja e prokurorisë për gjashtë të arrestuarit në laboratorin e drogës në Suharekë

Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj gjashtë të pandehurve, të arrestuar në aksionin anti-drogë në Shirokë të Suharekës më datë 16 shkurt.

Nga ky aksion janë gjetur rreth 32 kg narkotikë të llojit marihuanë, dymijë e pesëdhjetë e nëntë bimë të mbjella në saksi, të cilat janë konfiskuar, si dhe narkotikë që kanë qenë të përgatitura dhe të gatshme për shitje.

Sipas prokurorisë të pandehurit A. R., M. V., E. M., F. M., A. M., dhe E. D., me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh nga data e arrestimit.

Sipas kërkesës së prokurorisë, të pandehurit kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të.

“Më datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime, të pandehurit kishin për të kryer veprën penale – Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit.

Po ashtu, të pandehurit e lartëcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike të cilën s e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar, ka njoftuar prokuroria.

Në këtë mënyrë, të pandehurit kishin për të kryer vepën penale – Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në aksionin në Shirokë të Suharekës Policia ka kapur në flagrancë dhe arrestuar 6 persona, katër 4 prej tyre shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy 2 shtetas të Kosovës nën dyshimin për veprën – kultivim të bimëve narkotike.

Mbi 1 milion euro mund të shkojë vlera e mbi 1,000 fijeve të kanabisit të konfiskuar në këtë operacion anti-drogë. Të dhënat tregojnë që pesha e prodhimit të tyre shkon mbi 1 mijë kilogram.