Endrit Shala
Dosja e Prokurorisë: Për çka akuzohen dy ish-ministrat e NISMA-s?
Pas hulumtimeve të KALLXO.com, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Endrit Shalës dhe Vesel Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Hulumtimi i KALLXO.com i datës 15.03.2021 kishte shpërfaqur emërimin që Endrit Shala i kishte bërë kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqës që të bënte inspektimin për cilësinë e naftës.
Sipas Prokurorisë, Endrit Shala i ka ndihmuar kompanisë së baxhanakut të tij, Valdet Teneqja përfitim në vlerë prej mbi 732 mijë euro, duke miratuar vendimin e datës 30.05.2019, me të cilin operatorit ekonomik N.SH “Euro Inspekt” dhe operatorit ekonomik të Vladet Teneqës si trup inspektues për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të naftës në Kosovë.
“Ka nënshkruar përkatësisht miratuar Vendimin për emërim 01.Ref.nr.36, datë 30.05.2019, me të cilin Operatori ekonomik (OE) me emrin tregtar: N.Sh. “Euro Inspekt” dhe emrin e biznesit: Valdet S. Teneqja … është emëruar si trupë inspektuese për vlerësimin e konformitetit të karburanteve të lëngëta të naftës në Kosovë, me të cilin veprim i ka mundësuar atij dhe biznesit në pronësi të tij, realizim të interesit financiar, përkatësisht të dobisë pasurore si rrjedhojë e këtij vendimi të kundërligjshëm, në lartësi 732,642.28 Euro.” – thuhet në dosjen e Prokurorisë mbi aktakuzën ndaj Endrit Shalës.
Kurse për Vesel Krasniqin, Prokuroria pretendon se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit në vlerë prej 11 milionë euro.
Sipas Prokurorisë, Krasniqi ka inicuar dhe ka zbatuar procedura ligjore për të përgaditur një Udhëzim Administrativ për kontrollin dhe cilësinë e naftës. Ky udhëzim, sipas Prokurorisë i përmban disa nene që janë në dëm të interesit publik dhe në interes të kompanive private.
KALLXO.com kishte raportuar 07.05.2021 se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e udhëhequr nga Vesel Krasniqi i partisë NISMA Socialdemokrate, e kishte lënë mbrapa një monopol të ri, koston e të cilës do të mbartin kompanitë e naftës, përkatësisht qytetarët e Republikës së Kosovës, që do të paguajnë me shtrenjtë naftën.
Ministri Krasniqi e kishte autorizuar një kompani zvicerane për shënjim/markim të naftës. Shenjëzimi/markimi i naftës do të bëhej i obligueshëm, ndërsa pritej t’i garantonte kompanisë së autorizuar rreth 6 milionë euro në vit apo 30 milionë brenda 5 vjetëve, në vartësi të sasisë sa naftës së importuar.
Kompania e autorizuar do të ishte e vetmja që do të bënte shënjimin/markimin e naftës në 5 vitet e ardhshme. Këtij monopoli i ishte hapur rrugë nga Udhëzimi Administrativ 09/2020 për kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës.
Nenin 54 i këtij Udhëzimi Administrativ kishte paraparë shënjimin e karburanteve. Pika 17 e atij neni kishte paraparë kontraktimin e një trupe për terë territorin e Kosovës.
“MTI do të autorizojë dhe kontraktojë vetëm një (1) trupë për territorin e Republikës së Kosovës për shënjimin e produkteve të lëngëta të naftës dhe të monitorimit të shënjimit, kjo me qëllim të sigurimit të uniformitetit të monitorimit të shënjimit të produkteve në tërë Republikën e Kosovës dhe të identifikimit dhe të monitorimit të të gjitha produkteve të lëngshme të naftës”- thuhej në pikën 17 të nenit 54.
Të njëjtat arsyetime për shkelje thuhen edhe në pretendimet e Prokurorisë Speciale, që i ka siguruar KALLXO.com
“… Përkatësisht me nenin 51 dhe 54 të këtij udhëzimi, Doganës së Kosovës i është hequr kompetenca për vlerësimin e cilësisë së naftës me rastin e importimit dhe futjes në territorin doganor të Kosovës, të cilën deri në miratimin e këtij akti nënligjor të kundërligjshëm e kryente Dogana e Kosovës pa kosto shtesë, në pajtim me nenin 20 (par.6) të Udhëzimit administrativ (MTI) nr.01/2017 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, duke e kaluar këtë çështje te operatorët ekonomikë privatë, ku si rrjedhojë e kësaj, në një proces jotransperent dhe të parregullt të zbatuar nga MTI, me Vendimin 01.Ref.nr.53, datë 30.12.2020 kishte emëruar kompaninë zvicerane, OE “Sicpa SA” (CHE-105.732.246) si trupë e cila do të kryejë shënjimin dhe monitorimin e derivateve të lëngëta të naftës, ndërsa me datë 14.01.2021 kishte nënshkruar kontratën me këtë OE, nga e cila është dëmtuar interesi publik në lartësi 11,235,706.31 Euro , duke krijuar kosto shtesë të produkteve të derivate të naftës, me qëllim përfitimi për kompaninë private si dhe duke rritur çmimin final të karburanteve për konsumatorët në tregun e Republikës së Kosovës si dhe duke e ekspozuar shtetin ndaj rreziqeve nga inicimi i procedurave ligjore me bazë kontraktore” – thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.
Hulumtimi i mëposhtëm i KALLXO.com i publikuar më 07.05.2021.
https://ëëë.youtube.com/ëatch?v=ë1DpdLhllJY&t=4274s