Mjek - Foto: REL/Wikipedia Commons

Dosja e prokurorisë: Pacientja vdiq pasi iu shpua gabimisht zorra

Prokuroria në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj mjekut- kirurg, Sejdullah Mahmuti nga Gjilani pasi që dyshohet se me datën 20 janar 2015 gjatë operimit të pacientës tashmë të ndjerë Nevrije Dermakut nga pakujdesia ka shpuar zorrën e hollë në dy vende.

“Pasi është qepur prerja e abdomenit ka filluar të rrjedhë lëngu fekal nga zorra e hollë me ç’rast i përkeqësohet gjendja shëndetësore për shkak të infektimit të rëndë të gjakut, me kërkesë të familjarëve transferohet në QKUK- Klinika Abdominale ku i bëhen edhe dy intervenime kirurgjike dhe pastaj pastaj transferohet në kujdesin intenziv mirëpo nuk mund t’i përballojë infektimit të rëndë dhe me datë 06 shkurt 2015  rreth orës 22:30 ndërron jetë” thuhet në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com.

Më tutje në aktakuzë thuhet se me këtë veprim është kryer vepra penale trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor. KALLXO.com ka marrë vesh se për këtë rast është mbajtur shqyrtim gjyqësor dhe mjeku në fjalë nuk e ka pranuar fajësinë.

Të kontaktuar nga KALLXO.com familja Dermaku nga Gjilani thonë se tashmë kanë kaluar katër vjet prej kur familjarja e tyre ka vdekur dhe është vonuar ky proces.

“Edhe pse e vonuar, pas katër viteve, prapë më mirë se kurrë, shpresojmë që drejtësia për nënën time të vihet më në fund sepse besojmë që vdekja e saj ka ndodhur si pasojë e papërgjegjësisë së mjekut” tha djali i të ndjerës, Edon Dermaku.

I kontaktuar nga KALLXO.com doktori nuk ka qenë i qasshëm dhe ende nuk i është përgjigjur pyetjeve të dërguara nga KALLXO.com.