Dosja e Prokurorisë ndaj të akuzuarve për përvetësimin e telefonave të Telekomit të Kosovës, dy nga të akuzuarit arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë
Shtatë të akuzuarit për përvetësime dhe përfitime nga Telekomi i Kosovës, janë ulur në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës të martën me datë 05.11.2024.
Trim Musliu, Armend Osaj, Denis Ceman, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi, Kreshnik Musliu dhe Gazmend Hyseni nga Prokuroria Speciale po akuzohen për veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare, përvetësim në detyrë, mashtrim dhe vepra të tjera të ngjashme’.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rafet Halimi, të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.
Të akuzuarit Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni deklaruan se e pranojnë fajësinë për veprat të cilat iu vihen në barrë.
Ndërsa të akuzuarit tjerë në këtë rast, Trim Musliu, Armend Osaj, Alban Limani, Fatbardh Ajvazi dhe Kreshnik Musliu u deklaruan të pafajshëm.
Lidhur me pranimin e fajësisë ndaj të akuzuarve Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni, prokurori Rafet Halimi njoftoi se dy të pandehurit kanë marrëveshje me Prokurorinë Speciale dhe i propozoi Gjykatës të njëjtën ta pranojë dhe të akuzuarve Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni të mos iu shqiptohet dënimi deri në fund të shqyrtimit gjyqësor.
Tutje, mbrojtësja e të akuzuarit Denis Ceman, avokatja Merita Bajraktari tha se pas konsultimeve me të mbrojturin e tij kanë ardhë në përfundimin se pranimi i fajësisë është veprim i duhur.
“Pas konsultimeve të mjaftueshme me të mbrojturin tim Denis Ceman si dhe prokurorin e çështjes kemi ardhur në përfundim se pranimi i fajësisë në këtë fazë të procedurës penale është veprim i duhur dhe i mbështetur në ligj”.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gazmend Hyseni, avokati Nasuf Hasani tha se kjo marrëveshje është arritur me qëllimin që kjo çështje të zbardhet sa më mirë.
“Para se m`u ngritë aktakuza ne kemi arritë marrëveshje me prokurorin e Prokurorisë Speciale, krejt me qëllimin që kjo çështje të zbardhet sa më mirë, kjo marrëveshje ekziston dhe i propozoj Gjykatës që këtë vullnet të Gazmend Musliut ta merr si të mirëqenë e cila do të reflektoj në shqiptimin e dënimit”.
Tutje, gjyqtari Arben Hoti mori aktvendim duke pranuar pranim e fajësisë së të pandehurve Denis Ceman dhe Gazmend Hyseni.
Gjyqtari Arben Hoti njoftoi se çështja penale do të vazhdoj vetëm me të pandehurit të cilët nuk e kanë pranuar fajësinë, ndërsa për të pandehurit Denis Ceman dhe Gazmend Musliu tha se pezullohet shqiptimi i dënimit dhe të njëjtit do të ftohen në fjalën përfundimtare në këtë çështje penale.
Tutje, Hoti njoftoi se për të akuzuarit të cilët nuk e kanë pranuar fajësinë në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë për kundërshtim të provave dhe për hedhje të aktakuzës.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas aktakuzës së datës 27.06.2024, i pandehuri Trim Musliu akuzohet se nga data 21.01.2019 në cilësinë e personit zyrtar si Drejtor i Marketingut në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përvetëson pasuri të Telekomit të Kosovës, në atë mënyrë që fillimisht Telekomi i Kosovës më datë 16.01.2019 lidh kontratë me operatorin ekonomik ‘ZONE Mobile’, për “Furnizim me pajisje Mobile Telekomunikuese, telefona Mobil, Smart Phones, USB Modema”, në vlerë 229.715.50 euro.
Tutje, i pandehuri Trim Musliu, sipas aktakuzës thuhet se ka tërhequr 239 telefona mobil nga depoja, në bazë të fletëdaljes, ndërsa Komisioni për pranim, më datë 22.01.2019 ka bërë pranimin e mallrave dhe të gjithë telefonat i ka marrë në posedim. Pastaj, disa telefona i ka shpërndarë sipas procedurave të përcaktuara, ndërsa 153 telefona mobil i ka përvetësuar, në vlerë 153,165.83 euro. Më pas, bëhet furnizimi shtesë me 16 telefona mobil, dhe i pandehuri Trim Musliu tërheq nga depoja 16 telefona mobil, dhe prej tyre i përvetëson 11 Iphone X në vlerë 11,682.00 euro. Sipas këtyre veprimeve i pandehuri Trim Musliu përvetëson në mënyrë të kundërligjshme gjithsej 164 telefona mobil dhe përfiton dobi pasurore gjithsej në vlerë 164,847.83 euro.
Me këto veprime i pandehuri Trim Musliu, akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”.
I pandehuri Armend Osaj, akuzohet se nga data 03.09.2019 deri më datë 30.09.2019 në cilësinë e personit zyrtar si Drejtor i Financave dhe Thesarit në Telekomin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, përvetëson pasuri te Telekomit të Kosovës, e cila i është besuar për shkak të detyrës zyrtare, në atë mënyrë që fillimisht Telekomi i Kosovës, më datë 21.08.2019, lidhë kontratë me operatorin ekonomik “ZONE Mobile” , në vlerë 207,733.10 euro, ku pastaj zyrtarët e “ZONE Mobile”, bëjnë furnizimin me telefona mobil.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Armend Osaj i tërheq nga depoja 154 telefona, pastaj nga “ZONE Mobile”, bëhet edhe furnizimi i dytë dhe prapë ai tërheq 151 telefona mobil në depo. I njëjti kishte në posedim gjithsej 305 telefona në zyrën e tij, ku prej tyre një pjesë i shpërndan, ndërsa i përvetëson 38 telefona mobil.
Me këto veprime Armend Osaj përvetëson në mënyrë të kundërligjshme gjithsej 48 telefona mobil, duke përfituar dobi pasurore në vlerë 32,692.32 euro.
I pandehuri Osaj akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”.
Sipas pikës së tretë të aktakuzës, të pandehurit Trim Musliu, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman akuzohen se nga data 01.11.2020 deri më 31.12.2020 në bashkëkryerje përpilojnë një dokumentacion të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të dokumentit si origjinal, në atë mënyrë që pasi Trim Musliu e kupton se kanë filluar hetimet për përvetësimin e 164 telefonave mobil në vlerë 164,847.83 euro, me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale nga vëllai i tij, Kreshnik Musliu të përpilon dokumente të falsifikuara.
Me këto veprime të pandehurit Trim Musliu, Kreshnik Musliu dhe Denis Ceman akuzohen se në bashkëkryerje kanë veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Tutje, sipas pikës së katërt të aktakuzës, i pandehuri Armend Osaj akuzohet se nga data 01.11.2020 deri më 31.12.2020 ka përpiluar dokumentacion të falsifikuar, në atë mënyrë që pasi e kupton se kanë filluar hetimet për përvetësim të 48 telefonave mobil në vlerë 32,692.32 euro, me qëllim që t’i shmanget përgjegjësisë penale falsifikon dokumente, dhe dokumentacioni i falsifikuar i prezantohet dhe dorëzohet Policisë se Kosovës si dokumentacion origjinal.
Me këto veprime i pandehuri Armend Osaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
Të pandehurit Alban Limani dhe Fatbardh Ajazi akuzohen se nga data 21.01.2019 deri më 06.03.2019 në bashkëkryerje, Alban Limani si pronar në “ZONE Mobile”, dhe i pandehuri Fatbardh Ajvazi në cilësinë e menaxherit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete paraqesin fakte të rreme, në atë mënyrë që me rastin e lidhjes së kontratës “ZONE Mobile” dhe Telekomit të Kosovës në vlerë 229,715.50 euro, për shitjen e 255 telefonave mobil, me vetëdije shkelin kushtet e përcaktuara në kontratë dhe dosje të tenderit, duke liferuar telefona mobil pa origjinë dhe duke mos ofruar dëshmi për prejardhjen e mallrave, pasi që “ZONE Mobile”, nuk ka blerje të brendshme nga ndonjë furnizues dhe nuk ka importe doganore nga shtetet e tjera. Me këto veprime, thuhet se të pandehurit mashtruan Telekomin e Kosovës kinse kanë kryer furnizim me mallra origjinale dhe pranuan pagesën në vlerë 220,715.50 euro.
Të pandehurit Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim”.
Tutje, sipas pikës së gjashtë së aktakuzës të pandehurit Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik”.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi akuzohen se gjatë muajit prill 2021, në bashkëkryerje me qëllim që t’i shmangen pagesës së tatimit në Administratën Tatimore të Kosovës, në atë mënyrë që, me anë të paraqitjes së fakteve të rreme kryejnë mashtrim kundër Telekomit të Kosovës në Kontratën “Furnizim me pajisje Mobile Telekomunikuese, telefona Mobil, Smart Phones, USB Modema”, dhe përveç pagesave për mallin e liferuar, nga Telekomi i Kosovës pranojnë edhe shumën për TVSH në vlerë 68,219.86 euro, dhe nuk e deklarojnë në Administratën Tatimore, sipas ligjit.
Por, kur të pandehurit Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi e kuptojnë se janë duke u hetuar, atëherë me të pandehurin Gazmend Hyseni arrijnë marrëveshje për përpilimin e dokumentacionit të falsifikuar dhe si kompensim arrijnë pajtim për shumën 30,000.00 euro. I pandehuri Gazmend Hyseni thuhet se ka lëshuar fatura të rrejshme përmes biznesit “Kopex” në vlerë 163,169.00 euro dhe biznesit “Versacoop”, në vlerë 124,328.00 euro, kinse ka bërë shitjen e telefonave mobil për “ZONE Mobile”, gjithsej në vlerë 287,498.00 euro, dhe në fund të muajit prill 2021 të njëjtat fatura të rrejshme ua ka dorëzuar të pandehurve Fatbardh Ajvazi dhe Alban Limani.
Sipas aktakuzës, Gazmend Hyseni nga i pandehuri Alban Limani pranon shumën prej 3,000.00 euro, pastaj të pandehurit Fatbardh Ajvazi dhe Alban Limani këto fatura të rrejshme i paraqesin si fatura nga “ZONE Mobile”, në Administratën Tatimore të Kosovës me qëllim të shmangies së pagesës së TVSH-së. Me këto veprime të pandehurit, Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, në vlerë 68,219.86 euro.
Me këto veprime të pandehurit Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”.
I pandehuri Gazmend Hyseni akuzohet se gjatë muajit prill 2021, në pozitën e pronarit të biznesit “Versacoop” dhe biznesit “Kopex” me qëllim të përfitimit të paligjshëm të dobisë pasurore lëshon dokumente të rrejshme për biznesin “ZONE Mobile”, në atë mënyrë që të pandehurit Alban Limani dhe Fatbardh Ajvazi me anë të paraqitjes së fakteve të rreme kryejnë mashtrim kundër Telekomit të Kosovës në Kontratën “Furnizim me pajisje Mobile Telekomunikuese, telefona Mobil, Smart Phones, USB Modema”.
Me këto veprime i pandehuri Gazmend Hyseni akuzohet se ka kryer veprën penale “Dokumente të rrejshme lidhur me tatimin”.