FOTO - Naser Hafizi - Facebook

Dosja e Prokurorisë ndaj Nazer Hafizit, i arrestuar nën dyshimet për falje të borxheve për kompanitë ambalazhuese

Gjykata e Prishtinës më 11.10.2024 i ka caktuar masën e paraburgimit, zyrtarit të MMPHI-së Naser Hafizit, lidhur me dyshimet për faljen e borgjeve – taksën ujore kompanive ambalazhuese.

Kallxo.com ka arritur të sigurojë kërkesën për caktim të masës së paraburgimit ndaj Hafizit.

Naser Hafizi po dyshohet për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar, shpëlarje të parave, dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

Mbi bazën e këtij dyshimi Naser Hafizi është arrestuar më 10.10.2024 në Aeroportin e Prishtinës.

Në kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në cilësinë e personit zyrtar, dhe atë në cilësinë e zëvendësuesit të drejtorit të ARPL-së në MMPHI, me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij duke vepruar në kundërshtim të plote me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në Ligjin për Ujërat e Kosovës, si dhe udhëzimin administrativ për Strukturën e pagesave të taksave ujore, si dhe ka anashkaluar në tërësi Raportin e Grupit Ministror, i cili ishte formuar me qëllim të përllogaritjes së borxheve të Operatorëve Ekonomik – ambalazhuesve ndaj ARPL-së.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se raporti tregonte se vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga operatorët ekonomikë është 19,297,447.67 euro, ndërsa i pandehuri pa bazë ligjore dhe pa verifikuar gjendjen faktike, ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme për zvogëlimin e borxheve të disa operatorëve ekonomikë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Sipas dosjes së prokurorisë më datë 22.03.2022, pa bazë ligjore ka iniciuar nxjerrjen e vendimit preliminar për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit Compakt-Group – “Adea Group” për shfrytëzimin e ujit në vlerë të 3,616,812.00, ndërsa më 17.11.2022 për të njëjtin ambalazhues kishte iniciuar nxjerrjen e detyrimit financiar për shfrytëzim të ujit në vlerë prej 41,433,60 euro për periudhën kohore 2018-2021, duke mos inkasuar borxhin për periudhën kohore prej vitit 2010, prej kur këtij operatori i ishte dhënë leja ujore, duke anashkaluar në tërësi raportin e grupit punues ministror dhe pa kryer asnjë verifikim zyrtar të gjendjes në teren, i përllogarisin borxhin në vlerë shumë të ulët krahasuar me të dhënat e konstatuara nga GP dhe në kundërshtim me UA.

Tutje sipas dosjes së prokurorisë më datë 07.09.2021 Hafizi dyshohet se kishte iniciuar nxjerrjen vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE “Fluidi”, të cilit prej janarit 2009 deri në qershor 2021, i cakton si detyrim financiar 13,072.31 euro edhe pse ky operator vetëm për periudhën kohore prej vitit 2008-2013, sipas GP Ministror të vitit 2014, detyrohej për borxhin prej 4,458,24.00 euro e nëse do të llogaritej edhe periudha kohore prej vitit 2014 e tutje borxhi do të ishte më i lartë.

Gjithnjë sipas dosjes së prokurorisë i pandehuri më 31.08.2021 kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE “FRUTTI”, të cilit prej 2017-2021 i përcakton detyrim financiar prej 39,81 euro, ani pse ky operator ka operuar si ambalazhues dhe përllogaritja e detyrimit për ujin e shfrytëzuar është dashur që t’i llogaritet për litër të shitur e jo metër kub.

Në dosjen e prokurorisë po ashtu thuhet se më datë 11.03.2022, i pandehuri kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit financiar për përllogaritjen e detyrimit financiar për OE  “FRUTEX”, i cili si aktivitet kishte prodhimin dhe ambalazhimin e lëngjeve freskuese, të cilit për periudhën kohore prej muajit korrik 2019 deri në dhjetor 2021 i kishte përcaktuar si detyrim financiar shumën prej 127.40 euro.

Tutje në dosjen e prokurorisë thuhet se sipas vendimit më datë 22.03.2022 pa bazë ligjore kishte iniciuar procedurën për nxjerrjen e vendimit për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Getrinke” sh.p.k Vrellë, për shfrytëzim të ujit të papaguar në vlerë prej 411,180,00 euro, ndërsa më 28.06.2022, këtij operatori për periudhën kohore maj- dhjetor 2012 deri në janar-dhjetor 2021, i përllogarit detyrim financiar në vlerë prej 180,605.33 euro, duke mos marrë parasysh të dhënat e nxjerra nga GP ministror.

Ndërsa më datë 28.03.2022, thuhet se pa bazë ligjore kishte nxjerrë vendim për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit “Silca Gruop- Uji Miros”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar në vlerë prej 2,255,040,00 euro, ndërsa më pas është marrë vendim financiar duke anashkaluar të dhënat e nxjerra nga Grupi Punues ministror, por duke i llogaritur borxhin në bazë të raportimit të OE se gjoja borxhi i përgjithshëm nga ky OE është në vlerë prej 553,247,30 euro, e këtë e bën pa i verifikuar të dhënat nëse raportimi nga ky OE është i saktë.

Gjithashtu, po me të njëjtën datë, thuhet se pa bazë ligjore kishte iniciuar nxjerrjen e vendimit për detyrim financiar për ambalazhuesin e ujit N.T.P “ADI”, për shfrytëzimin e ujit të papaguar në vlerë prej 216,000.00 euro, ndërsa më pas për ambalazhuesin e njëjtë të ujit më 20.03.2023, është marrë vendim financiar me të cilin ky OE, ngarkohet me detyrim financiar  prej 48,783,94 euro, për periudhën kohore prej vitit 2011 deri në vitin 2022, vendim ky i kundërligjshëm pasi që nuk janë marrë parasysh të dhëna e nxjerra nga grupi punues ministror.

Sipas dosjes së prokurorisë thuhet se i pandehuri në shkelje të detyrave zyrtare si rezultat i përllogaritjes së borxheve në mënyrë të kundërligjshme, në muajin dhjetor të vitit 2023 kishte iniciuar procedurën për vazhdimin e lejes ujore, duke i mundësuar OE “FRUTTI” vazhdimin e lejes ujore pa i plotësuar kushtet ligjore.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se këtë e kishte arritur duke ushtruar presion të zyrtarët e MMPHI-së, e duke i kërcënuar se nëse nuk do të vepronin sipas kërkesave të tij, do të inicionte procedura disiplinore për largim nga puna. Me këto veprime, Hafizi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje, në dosjen e prokurorisë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat- paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

Tutje thuhet se kishte bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat tjerë një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marrë me transferim bankar, pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t’i integroj duke i konvertuar e maskuar në emra të personave tjerë në asete të luajtshme dhe të paluajtshme. Me këtë, ai po dyshohet se ka kryer veprën penale “Shpëlarja e parave”.

Po ashtu në dosjen e prokurorisë thuhet se Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, ndërsa në vitin 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë-Kosovë të cilën po ashtu nuk e kishte deklaruar e të cilën e kishte pasur obligim që ta deklaroj në vitin 2024. Andaj, ai dyshohet se ka kryer edhe veprën penale “Mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Po ashtu dosja e prokurorisë pretendon se i pandehuri Hafizi, marrë parasysh faktin se ka edhe shtetësinë e Republikës së Serbisë, dhe se bazuar në të dhënat për lëvizjet e tij të shpeshta të siguruara nga Sistemi për menaxhimin Kufitar në shtetet tjera të rajonit dhe më gjerë, e veçmas faktit se i njëjti disa herë brenda ditës ka hyrë dhe ka dal nga territori i  Republikës së Kosovës, në disa raste ka kaluar edhe në këmbë kufirin në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku dyshohet se ka në pronësi shtëpi, ekziston rreziku që po të lihet i lirë, do të arratiset nga Kosova në ndonjë vend tjetër, për t’u shmangur përgjegjësisë penale, e cila do ta vështirësonte zhvillimin me sukses të procedurës penale.

KALLXO.com më 08.10.2024, ka raportuar se sekretari i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, është arrestuar pas aksionit të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës në ambientet e kësaj Ministrie. Ndaj të të njëjtit Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, i dyshuari i dytë, Naser Hafizi, nuk ishte gjetur në vendbanimin e tij ndërsa me datë 10.10.2024  Naser Hafizi, është arrestuar në Aeroportin e Prishtinës.