Dosja e Prokurorisë ndaj burrit që e rrihte gruan me grushte e rrip dhe e kanosi me armë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.J., për shkak të dhunës së vazhdueshme fizike që ushtori ndaj bashkëshortes së tij.

Prokuroria njofton se, nga data 17 deri më 21 gusht 2022, në Komunën e Gjakovës, konkretisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, i pandehuri A.J., në mënyrë të vazhdueshme e sulmoi bashkëshorten e tij S.J.

Tutje, në njoftim theksohet se për gjatë katër ditëve, i njëjti, me dashje i shkaktoi lëndime trupore bashkëshortes se tij, ku pas mosmarrëveshjeve paraprake që kishin mes vete, filloi ta sulmoj duke e goditur me rrip dhe me duar në pjesë të ndryshme të trupit, po ashtu, ditëve në vijim, i pandehuri përdori forcë dhe e sulmoi fizikisht të dëmtuarën, duke e goditur me shuplakë në kokë, në fytyrë, si dhe me rrip në pjesë të ndryshme të trupit.

Me këtë ka kryer veprën penale, “Lëndimi i lehtë trupor në vazhdimësi’, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Prokuroria thekson se në muajin korrik të vitit 2021, i pandehuri me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe ankthit, e kanosi me fjalë dhe armë bashkëshorten e tij S.J., ku si rrjedhojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishin në mes vete i pandehuri nxori nga sirtari i dollapit të dhomës së fjetjes armën dhe e kanosi të dëmtuarën duke i thënë “ Ka me t ‘vra”, me ç ‘rast me veprimet e tij, i pandehuri tek e dëmtuara ka shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj.

Me këtë ka kryer veprën penale “Kanosje”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas Prokurorisë, arma me të cilën është kanosur e dëmtuara, është sekuestruar, derisa në departamentin për krime të rënda, është ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.J., për shkak të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokurorët e rastit i kanë propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri A.J, të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i janë vënë në barrë.