Arkiv

Dosja e Prokurorisë - Mënyra se si i pandehuri përfitoi afër 23 mijë euro subvencione kundërligjshëm

22 mijë e 666 euro subvencione janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga i pandehuri S. B., i cili u arrestua në aksionin e së mërkurës nga Policisë së Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të subvencioneve në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Në dosjen e prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com tregohet se si i dyshuari S. B. kishte aplikuar dhe përfituar shumën e lartcekur të parave duke paraqitur të dhëna të rreme dhe të pasakta për subvencionet e vitit 2020.

S. B. më 27 gusht 2020 kishte dorëzuar aplikimin e tij ku kishte cekur tokat apo parcelën në të cilën do i kryente punët bujqësore.

Mirëpo, nga provat që ka siguruar Prokuroria nga Ministria e Bujqësisë, rezulton se sipas fletave poseduese të dorëzuara në dosjen e tij, vendi apo parcelat të cilat i ka prezantuar i pandehuri nuk përputhen me vendin apo parcelat me të cilat ka përfituar subvencione.

Sipas dosjes së Prokurorisë, pas kësaj i dyshuari ishte takuar me tashmë të pandehurit për keqpërdorim më subvencione Blerim Mulliqin, inspektor dhe ish-drejtorin e pagesave direkte, Luan Statovci.

Takimi i parë i tyre ishte bërë më 13 dhjetor 2020 në restorantin e një pompe derivatesh.

Sipas dosjes së prokurorisë, në këtë takim, në prezencë të Mulliqit, i pandehuri S. B. kishte arritur marrëveshja për dhënie ryshfeti më Statovcin.

Gati dy muaj më pas, më 10 shkurt 2021, të tre të pandehurit, S. B., Mulliqi dhe Statovci takohen në një restorant në lagjen Pejton në Prishtinë ku ky i fundit pranon 1 mijë e 600 euro ryshfet nga S.B. thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Me këto veprime, i pandehuri S. B. dyshohet se ka kryer veprat penale “Mashtrim me subvencione” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së mërkurë se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist i pezulluar nga anëtarësia i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruqi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.