Foto: Ilustrim

Dosja e Prokurorisë – Me subvencionet për bimë mjekësore arat u mbollën me ushqim për bagëti

93 mijë e 400 euro subvencione dyshohet se u përfituan nga i pandehuri R. Z., i arrestuar të mërkurën nga Policia e Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të subvencioneve në Agjencionin për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB).

Në dosjen e prokurorisë të siguruar nga KALLXO.com, R. Z. dyshohet se e ka përfituar shumën e lartcekur për mbjellje të bimëve mjekësore aromatike, por që në fakt një pjesë të madhe të sipërfaqes e kishte mbjellë me bimë që përdoret për ushqim për bagëti.

Në aplikacionin e të pandehurit, që u bë në emër të biznesit të tij, dyshohet se u paraqiten të dhëna të rreme dhe të pa sakta, dhe për këtë i pandehuri dyshohet se 93 mijë e 400 eurot i përfitoi në mënyrë të paligjshme.

Në dosjen e prokurorisë thuhet se në bazë të programit për pagesa direkte të vitit 2020 kjo kulturë bujqësore e lartcekur nuk figuron fare në listën e bimëve mjekësore dhe aromatike.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mashtrim me subvencione”.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së mërkurë se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist i pezulluar nga anëtarësia i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira, i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruçi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.