Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dosja e Prokurorisë: Kjo është skema që dyshohet se u përdor për kontrabandimin e 700 të huajve

Mbi 700 të huaj dyshohet se u kontrabandën përmes kufirit Shqipëri, Kosovë, Serbi nga një grup i  qytetarëve për 5 muaj rresht.

Dosja të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se që nga muaji mars i këtij viti e deri më datën 30 korrik 2022, gjashtëmbëdhjetë personat e dyshuar kanë bashkëpunuar në kontrabandimin e të huajve nga Kosova për në Serbi.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, në krye të këtij grupi qëndronte një shtetas i huaj nga Bahreini me inicialet M.F.A.

Në dokumentet e siguruara nga KALLXO.com, përshkruhet se të huajt të cilët hynin në territorin e Kosovës nga kufiri i Shqipërisë, fillimisht ndaloheshin në qytetin e Prizrenit, prej ku më pas përmes transporteve private dhe me autobusë niseshin për në kryeqytet, ku priteshin nga të dyshuarit e tjerë të cilët ishin pjesë e këtij grupi, tashmë të arrestuar.

Dosja tregon se nga Prishtina shtetasit e huaj përmes linjës së rregullt të udhëtarëve niseshin për në komunën e Mitrovicës, ku priteshin nga të dyshuarit e tjerë të këtij grupi.

Nga Mitrovica, ata dyshohet se përmes auto taksive private arrinin deri në pikën kufitare në Jarinë, nga ku më pas në mënyrë ilegale duke lëvizur në këmbë e kalonin kufirin Kosovë-Serbi.

Në lidhje me këto dyshime, deri më tani nën prangat e policisë kanë përfunduar plot 16 persona.

Ndaj tyre Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rrezikut të pengimit të drejtësisë dhe mundësisë së arratisjes jashtë vendit.

Në lidhje më këtë kërkesë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar dhe mbajtur seancën e shqyrtimit të kësaj kërkese dhe deri më tani akoma nuk është vendosur për fatin e tyre.